Selia blu kërkon protesta përditë.Duan “kokën” e Metës

 

Partia Demokratike do të protestojë përditë deri në dorëheqjen e kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e aktivit të Partisë Demokratike. Në takimin e zhvilluar me drejtuesit e forumeve të partisë, kryetarët e PD në rrethe dhe deputetët demokratë ka fituar linja e ashpër e opozitarizmit, duke kërkuar protesta të pandalshme. Protestat do të zhvillohen para Kryesisë së Kuvendit si dhe do të ketë protestë më të madhe çdo të enjte kur zhvillohet dhe seanca e Parlamentit. Tubimet e përditshme do të zhvillohen nga të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, ndërsa ditën e enjte në protestë do të jenë dhe deputetët e selisë blu. Epiqendra e tubimeve do të jetë Tirana. Por PD-ja ka zgjedhur që për largimin e Metës nga detyra të protestohet edhe në qytetet e tjera kryesore të vendit. Vendimi i PD-së vjen vetëm një ditë pas protestës së zhvilluar në qendër të Tiranës nga Partia Demokratike, e cila u cilësua dhe si protesta më e shkurtër e selisë blu ,por edhe më paqësorja e demokratëve.

Në qendër të aksionit të PD-së është largimi i kreut të Kuvendit, ish-aleati i Partisë Demokratike gjatë mandati të dytë qeverisjes. Kreu i Kuvendit Ilir Meta u akuzua nga deputeti Tom Doshi se ka planifikuar vrasjen e tij. Prokuroria ka nisur prej gati dy javësh një hetim për akuzat e Doshit, duke thirrur për dëshmi gjithë kupolën shtetërore, me përjashtim të Presidentit Bujar Nishani. Dëshmitari dhe provat që ka pretenduar deri më sot Tom Doshi për atentatin ndaj tij nuk kanë arritur të faktojnë diçka të tillë. Bile gjithçka po del kundër tij. Megjithatë procesi është ende nën hetim dhe Prokuroria nuk ka vendosur ende se si do të jetë fati i çështjes “Doshi”. Pavarësisht procesit të drejtësisë dhe shumë pikëpyetjeve që ka akuza e Doshit lidhur me vërtetësinë e saj, Partia Demokratike e ka marrë si të mirëqenë këtë histori dhe kërkon dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit.Por PD nuk po pret që të mbarojnë hetimet, dhe po nxiton në skemën e saj për ta rrëzuar qeverinë Rama duke shkatërruar kembët e qeverisë që mbetet LSI.

Ndërsa mitingu i së enjtes ishte paqësor tashmë akoma nuk dihet se cili është skenari që ka përgatitur opozita për protestat e përditshme. Protestat në Tiranë dhe rrethe pritet të sjellin bllokimin e vazhdueshëm të qarkullimit të mjeteve dhe aktivitetit të përditshëm normal të qytetarëve e të administratës. Ndaj dhe tubimet pritet të mos jenë aq paqësore se protestat e mëparshme të opozitës. Kreu i PD-së, Lulzim Basha u vlerësua dy ditë më parë si një lider që shmangu përplasjen duke zhvilluar një protestë të qetë dhe pa tensione, ndërsa vendimi i djeshëm shkon kundër kësaj linje. Protestat e përditshme janë një model që duket se i shkon më shumë për shtat filozofisë së Berishës kur drejtonte PD-në. Në të njëjtën mënyrë PD-ja zhvillonte protesta në sheshin “Skënderbej” gjatë viteve 2004-2005 kur kërkonte dorëheqjen dhe rrëzimin  e Fatos Nanos. Por në ato vite gjithë energjitë e opozitës ishin drejtuar për largimin e qeverisjes, ndërsa sot po vihen në lëvizje strukturat e partisë për të kërkuar largimin e Ilir Metës. Veç faktit se protesta janë një fushatë përgatitje e PD-së për zgjedhjet vendore synimi i PD-së është goditja e mazhorancës, por duke i ndarë. Në pamundësi për të kërkuar largimin e qeverisë PD shpreson që të ndajë Metën nga Rama, me idenë se do të dobësohet koalicioni, ose PS-ja do të detyrohet të bëjë lëshime për të mos marrë kostot të tepërta nga situata e krijuar. Por akuzat e deputetit Doshi nuk janë një çështje politike. Ato janë një çështje që tashmë i ka kaluar drejtësisë dhe kthimi në një kauzë politike i një situate që lidhet me drejtësinë nuk është argument bindës as për vetë demokratët. Opozita ka dhjetra kauza të tjera për të cilat mund të protestojë dhe mund të mbledh më shumë mbështetës në shesh. Orientimi i gjithë sulmit opozitar tek Meta, për një akuzë të pa verifikuar dhe me gjasa të pavërtetë, në vend që ta dobësojë siç pret PD-ja, mund të bëjë efektin e kundërt.

Si rregull një opozitë shigjetën e goditjes e drejton tek Kryeministri dhe qeveria e tij, ndaj fakti që e gjithë energjia e PD po drejtohet kundrejt Ilir Metës kryetar i Parlamentit mbetet të jetë ose inati që ai kaloi para zgjedhjeve të vitit 2013 me Edi Ramën, duke sjellë humbjen totale të Berishës ose siç po flitet prishja e ndonjë interesi të madh financiar në Keshillin Bashkiak të Tiranës prej mosrënies dakort të keshilltarëve të LSI për një projekt të madh koncensioni 35 vjeçar për parkingjet nga ku fitohej 21 milion lekë në orë për 35 vjet! Nuk besohet se PD ka marrë si kauzë një akuzë të pa verifikuar dhe që po hetohet nga Prokuroria përditë e në mënyrë korrekte,aq me tepër që përditë po duket nga faktet e informaconet se mund të dalë një gjë e sajuar për lojëra politike ose me ndonjë prapaskenë tjetër.

Gjithsesi jemi para një fakti të kryer ku PD do të protestojë përditë e kudo e sidomos ditën e enjte kur deputetët do jenë në sallën e Parlamentit. Diçka është menduar për të shkuar në një përplasje dhe për të hyrë me forcë populli demokrat në Parlament. Lulzim Basha,ndonëse ditën e enjte, fitoi pikë në opinionin publik dhe ndërkombëtar si një lider i ri me një vizion perendimor e ku si qellim ka kthimin në pushtet me metoda europiane; mbrëmë duket se nuk ka fituar lobi i tij , por e vjetra në PD. Ka fituar përplasja dhe konflikti.Mund të jetë Berisha që ka vendosur mbrëmë këtë stil opozite duke gjetur një sebep e jo një parim.Mundet që krahu konservator po bëhet mbizotërues në selinë blu.

Tashmë priten zhvillime të reja në përballjen opozitë-mazhorancë, ku nuk përjashtohen edhe skema të rrezikshme. Në fund qytetarët e thjeshtë janë ata që e “hanë” këtë përplasje të re.

SHKARKO APP