Senati i ri akademik, Nikolla: Mirëpres sugjerimet tuaja
Në Sallën e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës u zhvillua sot mbledhja e parë e këtij organizmi.
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla pasi i uroi suksese anëtarëve të rinj, kërkoi nga anëtarët e senatit sugjerimet e tyre për çështje të ndryshme të arsimit të lartë, të cilat ajo tha se do t’i marrë parasysh.
“Ju keni shumë detyra përpara. Jam e bindur që do t’i përmbushni me sukses duke vijuar në rrugën e traditës, për të qenë universiteti i Tiranës, më i miri në të gjithë arsimin tonë të lartë. Do të përmbushni të gjitha detyrat që kërkon riorganizimi institucional, akademik dhe gjithçka tjetër. Unë jo vetëm që ju garantoj se do të vazhdoj në rrugën e komunikimit që është ngjizur tashmë, por lejomëni të them për të disatën herë që është gjëja kryesore në punën time dhe për të dëgjuar shumë nga vërejtjet dhe këshillat që ju jepni, për gjithçka që ne duam të arrijmë së bashku në fushën e arsimit të lartë”, tha Nikolla.
Nga ana e tij, Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni gjatë fjalës së tij, vuri në dukje se zbatimi i ligjit të ri të arsimit të lartë mbetet sfidë.
“Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin e ri për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë, ndaj një nga sfidat tona mbetet zbatimi i këtij ligji. Sfidat e zbatimit të këtij ligji janë të natyrave të ndryshme. Kam parasysh këtu edhe vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave për caktimin e kritereve për pranimin në universitete për kandidatët që kanë mbaruar arsimin e mesëm. Por ndërkohë, ky ligj ka nënvizuar nevojën për t’i dhënë përgjigjë këtyre sfidave imediate me të cilat universiteti do të ballafaqohet në punën e tij, siç është kërkimi shkencor, rekrutimi i studentëve, financimi dhe bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit gjatë fazës së përgatitjes së akteve nënligjore, që do të kenë ndikim në mënyrën e funksionit të brendshmëm, por jo vetëm”, tha Koni.
KOHA JONË SONDAZH

