Sërish një atentat i njëjtë, të plagosurit u qëlluan teksa po pinin kafe. Autorët hapën zjarr nga makina

Zona e ”Don Boskos” u trondit nga atentati këtë paradite. Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi ishin ulur në lokal duke pirë kafe, kur u qëlluan të paktën 7 herë me armë zjarri. Atentati ndodhi rreth orës 14:15 minuta dhe nga të shtënat të dy personat në fjalë mbetën të plagosur.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj tha se autoritetet e kishin thuajse të qartë të gjithë dinamikën e ngjarjes. Ai dha pak detaje rreth saj, megjithatë Vocaj zbuloi se 3 kanë qenë personat që morën pjesë në këtë atentat, mes tyre edhe shoferi. Ata udhëtonin me makinë dhe sipas Vocajt, hapën zjarr pa zbritur nga automjeti. Kreu i policisë nuk konfirmoi se cili kishte qenë objektivi i këtij atentati, megjithatë ai tha se po analizohet e shkuara e të plagosurve dhe se njëri prej tyre është me precedentë penalë.

45-vjeçari Kastriot Elezaj ka qenë i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni dhe pjesëmarrje në grup kriminal. Ai mësohet se është ekstraduar nga vendi ynë drejt Italisë e pasi ka përfunduar dënimin është rikthyer në Shqipëri. Kurse 22-vjeçari Metushi ai nuk rezulton të ketë precedentë penalë. I riu ka marrë një plumb në këmbë, ndërsa 45-vjeçari është plagosur në kraharor. Të dy ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

SHKARKO APP