Sezoni turistik në Shëngjin, Policia e Lezhës monitoron zhurmat, asnjë subjekt në shkelje të ligjit

Në kuadër të Planit të Masave për garantimin e sigurisë publike dhe qetësisë gjatë sezonit turistik veror, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin lokal, kanë vijuar kontrollet e rrepta në terren në zonën bregdetare të Shëngjinit. Fokus i këtij aksioni ka qenë verifikimi i respektimit të normave të lejuara të zhurmës dhe ndotjes akustike.

Operacioni është shtrirë në ambiente dhe subjekte të ndryshme, si të hapura ashtu edhe të mbyllura, duke u bazuar në një hartëzim paraprak të zonave me risk më të lartë. Për të shmangur abuzimet apo vlerësimet subjektive, efektivët kanë përdorur pajisje të posaçme të matjes akustike.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, gjatë këtyre kontrolleve, me pajisje matëse të nivelit të zhurmës janë verifikuar ambiente dhe subjekte me qëllim kontrollin e respektimit të kufijve të përcaktuar nga Ligji ‘Për administrimin e zhurmës në mjedis’. Nga matjet e kryera ka rezultuar se nivelet e zhurmës kanë qenë brenda kufijve të lejuar.

Swiss Digital Desktop Reklama

Gjatë kësaj faze të monitorimit, autoritetet konfirmojnë se nuk është konstatuar asnjë shkelje e ligjit dhe për rrjedhojë nuk është aplikuar asnjë masë administrative apo gjobë ndaj bizneseve të zonës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Monitorimi i orareve të muzikës

Përveç volumit të zërit, një tjetër komponent i rëndësishëm i kontrollit ka qenë edhe fasha orare e muzikës në baret dhe klubet e natës që operojnë pranë zonave të banuara apo hoteleve.

“Paralelisht me monitorimin e nivelit të zhurmave, është kontrolluar edhe respektimi i orarit të lejuar për zhvillimin e aktiviteteve muzikore në ambiente të hapura, në zona ose qendra të banuara, nga ora 11:00 deri në orën 24:00.”, njofton policia.

Policia e Lezhës bën të ditur se ky plan monitorimi do të jetë aktiv përgjatë gjithë muajve të verës për t’u garantuar pushuesve vendas e të huaj, si dhe banorëve të Shëngjinit, një mjedis të qetë. Njëkohësisht, uniformat blu u kanë bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë dhe të denoncojnë në sallën operative çdo rast shqetësimi, duke premtuar ndërhyrje të menjëhershme ligjore.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?