Sfidat e bankave për 2020-Rritja e qendrueshme e kredisë, në krye të listës
Viti 2020 nis me sfida të rëndësishme për sistemin bankar. Pas sinjaleve pozitive të vitit 2019, objektivi kryesor është vijimësia e rritjes së huadhënies. Sipas raportimeve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në fund të nëntorit, rritja vjetore e portofolit të kredisë arriti në 8%, e përjashtuar kjo nga efekti i kursit të këmbimit dhe kredive të nxjerra jashtë bilancit.
Tërmeti i nëntorit 2019 megjithatë ka shtruar një lloj pasigurie, të lidhur kryesisht me performancën e përgjithshme të ekonomisë. Guvernatori Sejko tha se projeksione të përafërta për efektet mund të bëhen vetëm pasi të jetë bërë bilanci i dëmeve. Megjithatë, është e logjikshme të mendohet se ngadalësimi i aktivitetit ekonomik do të ndikojë edhe huadhënien.
Ky ngadalësim mund të jetë më i prekshëm në bizneset e prekura direkt nga tërmeti, por ulja e konsumit mund të prekë tërthorazi të gjitha aktivitetin e sipërmarrjes në qarqet e prekura. Ana tjetër e medaljes është nisja e pritshme e programit të rindërtimit, që do t’i japë stimul të pritshëm gjithë ekonomisë, duke nxitur paralelisht edhe kërkesën për hua bankare.
Është e pritshme që dëmet e tërmetit të sjellin një rritje të përkohshme të raportit të kredive me probleme. Megjithatë, nga konstatimet e para të bankave, së paku dëmet direkte në kolaterale dhe në subjektet huamarërse kanë qenë më të kufizuara nga sa u mendua në një moment të parë.
Një projekt i rëndësishëm i nisur nga bankat tregtare dhe Banka e Shqipërisë që në fund të vitit 2019 është platforma për gjallërimin e kreditimit. Kjo platformë pritet të marrë trajtë më konkrete gjatë vitit 2020, kur bankat do të paraqesin propozimet e tyre për ndryshime ligjore dhe rregullative, me qëllim stimulimin e aktivitetit kreditues në vend.
Në platformën për gjallërimin e kreditimit, janë përfshirë 10 objektiva, mes të cilave zgjerimi i skemave të ndarjes së rrezikut të kredisë, marrja e aksesit në bazat e të dhënave të institucioneve shtetërore, rritja e bazës së kreditueshme të shqiptarëve, duke përmirësuar përfshirjen financiare, përmirësimi i edukimit financiar të popullsisë, dhe identifikimin, në bashkëpunim me qeverinë, të sektorëve strategjikë të zhvillimit, etj.
/SCAN