SHBA në gjendje të lartë gatishmërie pas kërcënimit të Iranit drejtuar Izraelit
Shtetet e Bashkuara janë në gjendje të lartë gatishmërie dhe po përgatiten për një sulm të mundshëm nga Irani ndaj interesave izraelite apo amerikane në rajon, si përgjigje ndaj sulmit ajror të Izraelit tek ambasada iraniane në Siri, tha të premten një zyrtar amerikan.
“Jemi pa dyshim në një gjendje të lartë vigjilence”, tha zyrtari, duke konfirmuar një njoftim të bërë fillimisht në kanalin televiziv CNN, se sulmi mund të ndodhë gjatë javës që vjen.
Mendohet se ishin avionët izraelitë që sulmuan ambasadën iraniane në Damask të hënën, duke shënuar kështu një përshkallëzim të rëndësishëm të konfliktit.
Presidenti amerikan Joe Biden e diskutoi këtë çështje gjatë një telefonate të enjten me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
“Ekipet tona mbajnë kontakte të rregullta dhe të vazhdueshme që nga ai moment. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht mbrojtjen e Izraelit nga rreziqet nga Irani”, tha një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Biden.
Ndërkaq, komandanti i Gardës së fuqishme Revolucionare të Iranit paralajmëroi të premten se “burrat tanë guximtarë do ta ndëshkojnë regjimin zionist”, duke përshkallëzuar kështu kërcënimet ndaj Izraelit pas sulmit ajror që vrau më herët këtë javë shtatë zyrtarë të lartë të gardës, ndër ta edhe dy gjeneralë.
Sulmi, për autorësinë e të cilit mendohet gjerësisht se ka përgjegjësi Izraeli, shkatërroi një seksion konsullor të ambasadës iraniane në Siri. Sulmi ndaj një kompleksi diplomatik iranian ishte një përshkallëzim domethënës i asaj që ka qenë një luftë e gjatë në prapaskenë mes dy vendeve armike dhe Izraeli është përgatitur për një kundërpërgjigje.
Tensionet u rritën ndërsa vazhdon lufta gjashtëmujore Izrael-Hamas në Gazë, duke rikthyer kështu sërish frikën e zgjerimit të konfliktit rajonal. Grupi militant islamik Hamas, i cili ka qeverisur Gazën për 17 vite dhe konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Bashkimi Evropian, është një ndër grupet që mbështet Irani, së bashku me organizatën paraushtarake Hezbollah në Liban dhe rebelët huthi në Jemen.
Organizata Hezbollah dhe grupi Huthi kanë kryer sulme në periferitë e luftimeve në Gazë. Grupi Hezbollah angazhohet në shkëmbime të përditshme zjarri në kufirin me Izraelin dhe grupi huthi sulmon vazhdimisht anijet tregtare që kalojnë në Detin e Kuq.
Të premten, mijëra persona morën pjesë në funeralin në Teheran për shtatë zyrtarët e vrarë të Gardës Revolucionare, duke mbajtur parulla kundër Izraelit dhe Amerikës.
Funerali u mbajt në Ditën Quds, që zakonisht është shënuar në të premten e fundit të Ramazanit, ditë kur iranianët kanë treguar tradicionalisht mbështetjen për palestinezët që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979./VOA/