SHBA: “2 milionë palestinezët e Rripit të Gazës të largohen përgjithmonë”. Po cilat shtete do ti pranojnë në tokat e tyre?

Presidenti Donald Trump u zotua të martën se Shtetet e Bashkuara do të merrnin përgjegjësinë e rindërtimit dhe stabilizimit të Rripit të Gazës pasi palestinezët të zhvendoseshin diku tjetër. Kjo lëvizje do të mund të shkatërronte angazhimin dhjetëra vjeçare politik të Shteteve të Bashkuara ndaj konfliktit izraelito-palestinez.

Presidenti Trump njoftoi planin e tij të befasishëm, pa dhënë hollësi specifike, gjatë një konference të përbashkët për shtypin me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Njoftimi pasoi propozimin tronditës të zotit Trump më herët të martën për zhvendosjen e përhershme të palestinezëve nga Gaza në vendet fqinje, duke e quajtur Rripin e Gazës, “një zonë të shkatërruar”.

“Shtetet e Bashkuara do të marrim kontrollin e Rripit të Gazës dhe ne do të bëjmë një punë të mirë atje”, tha Presidenti Trump në konferencën për shtypin. “Ne do të marrim përgjegjësinë në atë zonë dhe do të jemi përgjegjës për çmontimin e të gjitha bombave të rrezikshme të pashpërthyera dhe armëve të tjera atje.”

“Nëse është e nevojshme, ne do ta bëjmë këtë, ne do ta marrim atë pjesë, do ta zhvillojmë, do të krijojmë mijëra vende pune dhe do të jetë diçka me të cilën mbarë Lindja e Mesme mund të jetë krenare”, shtoi Presidenti Trump.

I pyetur se kush do të jetonte atje, Presidenti Trump tha se Rripi i Gazës mund të bëhet një shtëpi për “njerëzit e botës”.

Më herët, Presidenti amerikan Donald Trump propozoi zhvendosjen e përhershme të palestinezëve nga Gaza në vendet fqinje, duke e quajtur territorin palestinez një “zonë të shkatërruar” nga lufta, ndërsa po zhvillonte bisedime të rëndësishme me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Presidenti Trump përsëriti thirrjen e tij për Jordaninë, Egjiptin dhe shtetet e tjera arabe për të pranuar banorë të Gazës, duke thënë se palestinezët nuk kishin alternativë tjetër veçse të largoheshin nga brezi bregdetar, i cili duhet të rindërtohet pas gati 16 muajsh të një lufte shkatërruese midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit.

Por këtë herë Presidenti Trump tha se do të mbështeste zhvendosjen e palestinezëve “përgjithmonë”, duke shkuar përtej sugjerimeve të tij të mëparshme, që udhëheqësit arabë tashmë i kanë kundërshtuar me forcë.

Vetëm dy javë pas fillimit të mandatit të tij të dytë, Presidenti Trump priti kryeministri izraelit Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar të ardhmen e armëpushimit të brishtë në Rripin e Gazës, strategjinë kundër Iranit dhe shpresat për një shtytje të ripërtërirë për një marrëveshje normalizimi izraelito-saudite.

“Nëse ne do të mund të gjenim një vend të duhur toke dhe të ndërtonim disa vendbanime vërtet të bukura me shumë para në atë rajon, kjo do të ishte e sigurt. Mendoj se do të ishte një alternativë shumë më e mirë sesa të ktheheshin në Gaza. Unë nuk e di se si palestinezët mund të duan të qëndrojnë”, tha Presidenti Trump kur u pyet për reagimin e udhëheqësve palestinezë dhe arabë ndaj propozimit të tij.

Në praninë e kryeministrit Netanyahun në Zyrën Ovale, Presidenti Trump më vonë bëri komente të ngjashme, por sugjeroi që palestinezët të largoheshin përgjithmonë nga Gaza “në shtëpi të bukura dhe ku mund të jenë të lumtur, nuk do të pushkatoheshin apo vriteshin”.

Propozimi i Presidentit Trump u bëri jehonë dëshirave të së djathtës ekstreme të Izraelit dhe bie ndesh me angazhimin e ish-presidentit Joe Biden kundër zhvendosjes masive të palestinezëve.

Disa aktivistë të të drejtave të njeriut e kanë kritikuar propozimin e Presidentit Trump për zhvendosjen e palestinezëve, duke thënë se ai ngjan spastrimit etnik.

Zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri dënoi thirrjet e Presidentit Trumpit për largimin e banorëve të Gazës, duke e konsideruar “dëbim nga toka e tyre”.

“Ne i konsiderojmë ato një recetë për prodhim të kaosit dhe tensioneve në rajon, sepse populli i Gazës nuk do të lejojë që plane të tilla të kalojnë”, tha ai.

/VOA/

SHKARKO APP