SHBA: Prej kohësh shqetësime për Doshin

 

Ambasada Amerikane në Tiranë deklaron se i ka ngritur edhe më herët shqetësimet e saj në lidhje me deputetin Tom Doshi dhe persona të tjerë tek autoritetet shqiptare.

E pyetur nga Tv Klan nëse kishte prova kur e cilëson deputetin Doshi si të përfshirë në veprimtari kriminale, një zëdhënës i Ambasadës tha se këto shqetësime janë ngritur prej vitesh.

Pyetjes se përse nuk ia kanë dorëzuar qeverisë shqiptare këto prova, zyrtari i Ambasadës iu përgjigj duke thënë se i kanë ngritur shqetësimet e tyre në lidhje me Doshin pranë autoriteteve shqiptare.

Përsa i përket deklaratës se deputetit të Shkodrës se do të dorëzojë pranë selive dipolmatike provat që disponon zëdhënësi i Ambasadës amerikane tha se: “Shqipëria ka institucione të besueshme ligjzbatuese dhe ata nxisin këdo që ka prova për shkelje t’i paraqesë këto në Prokurori dhe Policinë e Shtetit”, duke lënë të kuptohet se refuzon ta marrë në dorëzim videon që Doshi pretendon se fakton planin e Ilir Metës për vrasjen e tij dhe të deputetit Mhill Fufi.

Edhe Komisioni Europian pret një hetim të plotë të çështjes së akuzave të deputetit Tom Doshit nga autoritetet kompetente shqiptare.

E pyetur nga Tv Klan zëdhënësja e Komisionit, Maja Kocijançiç tha se Brukseli mbështet zbatimin e marrëveshjes për dekriminalizmin.

“Komisioni Evropian pret hetimin e plotë të këtij rasti nga autoritetet kompetente shqiptare. Komisioni Evropian mbështet plotësisht hapat që duhet të ndërmerren për zbatimin plotë të marrëveshjes midis partive qeverisëse dhe të opozitës në Parlamentin e Shqipërisë, duke përfshirë çështjen e personave me të dhëna kriminale që mbajnë poste publike.  BE-ja i jep prioritet të lartë forcimit të ligjit dhe zbatimit të plotë të shtetit ligjior, pa kompromis, duke përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat janë prioritetet kyçe për Shqipërinë. Ne presim gjithashtu sjellje dhe qëndrime të përgjegjshme për çështjet që lidhen me shtetin ligjor nga të gjithë ata që luajnë rol në jetën publike”, tha Kocijançiç.

Koçijancic tha se roli i BE – së është që të ndihmojë Shqipërinë për zbatimin e prioriteteve, ku përfshihet forcimi i shtetit ligjor edhe lufta kundër krimit të organizuar.

SHKARKO APP