
“Njoftimi për ngjarjen është marrë rreth orës 14:30. Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët konstatuan se zjarri kishte përmasa të mëdha, duke përfshirë katet e treta dhe të katërta të pallatit. Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, e cila kishte vendosur perimetrin e sigurisë, ndërhyrja u përqendrua në evakuimin e banorëve dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.
Gjatë operacionit u bë i mundur evakuimi i më shumë se 10 personave, kryesisht fëmijë dhe të moshuar, përmes autoshkallës së emergjencës. Për shkak të dëmtimeve të shkallëve të brendshme të ndërtesës dhe bllokimit të hyrjes, ndërhyrja u realizua nga disa drejtime të objektit, duke përdorur mjetet dhe pajisjet përkatëse. Autoshkalla mundësoi nxjerrjen e banorëve edhe nga katet e sipërme, përfshirë katin e katërt dhe të pestë.
Dy viktimat e gjetura në objekt janë konstatuar nën rrënoja dhe, sipas të dhënave, humbja e jetës ka ardhur si pasojë e shpërthimit.
Ndërkohë, personat që kanë shfaqur shenja asfiksie të lehtë kanë marrë ndihmën mjekësore dhe kanë lënë spitalin.
Në lidhje me pamjet filmike që qarkullojnë në rrjetet sociale, bëjmë me dije se ato pasqyrojnë një moment fillestar të operacionit, kur një prej mjeteve ndodhej në proces karikimi dhe nuk përfaqësojnë tërësinë e ndërhyrjes së kryer nga efektivët.
Ndërhyrja në pallat nuk ka pasur asnjë pengesë për mjetet zjarrfikëse. Për të krijuar hapësirën e nevojshme të operimit janë kryer edhe disa veprime për prerjen e degëve të pemëve, ndërsa luftimi i zjarrit dhe operacioni i shpëtimit janë realizuar nga disa anë të objektit.
Bashkia Elbasan disponon gjithsej 8 mjete zjarrfikëse, nga të cilat 6 mjete me pompë centrifugale për shuarjen e zjarreve, 1 autobot dhe 1 autoshkallë. Këto kapacitete janë në dispozicion të shërbimit për përballimin e situatave emergjente“, ka bërë me dije shefi i zjarrikëses, Emirjan Sako.
