Shehaj: JetBank e regjistruar në ofshore, aty mund të depozitojë para kushdo nga çdo cep i botës dhe pa kontroll
Ekspertja e ekonomisë Brisida Shehaj, e ftuar në edicionin ‘Ora 19’ në SYRI TV me moderatoren Armela Ferko, ka ngritur pikëpyetje mbi procedurat e ndjekura për licencimin e një banke të re në Shqipëri, duke theksuar nevojën për kontrolle më të rrepta nga Banka e Shqipërisë.
Sipas saj, licencimi i një banke nuk është i krahasueshëm me një biznes të zakonshëm, pasi bëhet fjalë për institucione që menaxhojnë kursimet e qytetarëve, mbledhin depozita dhe japin kredi.
Për këtë arsye, autoriteti mbikëqyrës duhet të tregojë kujdes maksimal, sidomos kur bëhet fjalë për modele të reja si bankat online, që operojnë pa sportele fizike dhe lejojnë hapjen e llogarive nga çdo vend i botës.
Shehaj theksoi se ligji dhe rregulloret kërkojnë një analizë të thelluar të aplikantëve, duke përfshirë verifikimin e burimit të kapitalit, bilancet financiare të paktën për tre vitet e fundit dhe aftësinë për të ruajtur nivelet e kërkuara të kapitalit edhe pas kryerjes së shpenzimeve fillestare.
Ajo u ndal konkretisht tek struktura e pronësisë së subjektit aplikues, duke theksuar se fillimisht aplikimi është bërë nga një individ, Idan Avishai, ndërsa më pas aksionet janë transferuar tek kompania Costador dhe disa kompani të tjera të regjistruara në Izrael.
Sipas Shehajt, kjo skemë e ndërlikuar pronësie ngre dyshime dhe kërkon një proces të plotë ‘due diligence’, për të verifikuar jo vetëm identitetin e aksionerëve, por edhe kapacitetin e tyre financiar dhe burimin e fondeve.
‘Në momentin që ty të vjen një kërkesë për liçensim të bankës, po flasim për bankë. Pra nuk po flasim për një biznes i cili do operojë, do të ofrojë ty një shërbim, po flasim që Banka e Shqipërisë ka liçensuar një subjekt privat për të operuar si bankë, pra shqiptarët të çojnë kursimet e tyre në atë bankë. Mbledh depozita, jep kredi dhe ofron shërbime si transfertat dhe përfiton të ardhura nga komisionet bankare.
Po merr lekët dhe i menaxhon ato. Pra ky është biznesi që ka, që ka, që ka banka, sepse normalisht bankat nuk investojnë nëpër bursa apo… Pra, që do të thotë banka duhet të jetë shumë e kujdesshme në atë çfarë i propozon tregut shqiptar dhe sidomos kur bëhet fjalë për një bankë online, e cila nuk do ketë sportele.
Pra ti dhe regjistrimin mund ta bësh online, pra do jetë një individ kudo, në çdo cep të botës që është i mundur të hapë një llogari bankare dhe të sjelli para këtu në këtë bankë në Shqipëri. Pra qysh këtu, duke qenë se është një bankë e re, Banka e Shqipërisë duhet të ishte, duhet të ishte shumë e kujdesshme.
Por, ligji e përcakton shumë qartë dhe rregullorja e Bankës së Shqipërisë e përcakton shumë qartë, që ata duhet të analizojnë jo vetëm kompaninë, individin apo kompaninë që aplikon, por duhet të shohin likuiditetin që kanë ata, duhet të marrin bilancet e tre viteve të fundit, bilance të konsoliduara të kësaj kompanie që aplikon, duhet të marrin informacione për burimin e likuiditetit, pra këto 10 milionë, 11 milionë euroshin që ata e kanë sjellë tashmë në Shqipëri, por duhet verifikohet që kjo kompani apo ky individ apo kjo, këto grup kompanish kanë likuiditete, sepse çfarë ndodh?
Në momentin që ti investon kapitalin dhe kryen shpenzime, se normalisht fillimisht do kryhen shpenzime, në fund të periudhës një vjeçare, pra në fund të vitit, ai kapital duhet të jetë po 1 miliardë lekë, pra duhet të jetë pra po 10 milionë euro, që do të thotë do induktohen këto para dhe këto shpenzime për të ruajtur kapitalin. Por, në momentin që banka mund t’i japi, mund, do i duhet të shtojë kapitalet e veta për shkak të riskut që mund të ketë pasur investimeve apo kredidhënia që mund të, mund të japi, të duhet që këta që janë aksionerë të faktojnë që kanë likuiditete.
Ne sot flasim tek kjo bankë për një individ fillimisht. Pra, kur është bërë aplikimi ka qenë vetëm një individ, Idan Avishai. Më pas, mbasi është marrë miratimi paraprak, kanë, kanë hyrë dhe ja ka shitur aksionet tek kompania Costador që është e regjistruar në Qipro, edhe tek katër a pesë kompani të tjera që janë të regjistruara në Izrael.
Që presupozohet që dhe për këta, pra ata që janë mbi 5% të aksioneve, është bërë kjo analizë, por dhe Costador-i e ka pronar po Idan Avishai-n dhe nuk e kuptojmë pse kur ky ishte aksioner, për çfarë duhet të regjistrohej ky në Qipro, dhe pastaj të regjistrohej një kompani mëmë në Hollandë dhe këta të Hollandës të ishin pjesë, ky i Qipros dhe këta të tjerët të Izraelit të ishin pjesë e kësaj dhe këta pastaj të blinin aksionet e bankës në Shqipëri. Pra do duhej që Banka e Shqipërisë të bënte një due diligence të plotë të këtyre kompanive dhe këtyre individëve’, u shpreh ndër të tjera Brisida Shehaj në SYRI TV.
KOHA JONË SONDAZH

