Shehaj: Nuk na interesojnë pazaret. Sfida më e madhe për ne është të hyjmë në Palament
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj thotë se forcës së tij politike nuk i interesojnë pazaret, duke nënkuptuar se nuk do të ketë koalicion me partitë e mëdha në zgjedhjet e 11 majit.
Ndër të tjera u shpreh se si parti e re, nuk synojnë të vijnë në pushtet, por të hyjnë në parlament me sa më shumë deputetë.
“Neve nuk na interesojnë pazaret. Mendojmë se Shqipëria ka nevojë për një opozitë të vërtetë, konkrete dhe te besueshme, si fillim. Dhe pasi të fitojmë besimin e qytetarëve duke bërë një opozitë ashtu siç qytetarët e presim, mund t’i japim Shqipërisë një qeveri të pa korruptuar. Çdo gjë fillon nga opozita.
Për ne sfida e madhe është të hyjmë në parlament me një numër sa më të madh deputetësh. Por nuk është qëllimi ynë maksimizimi i numrit të deputetëve. Qëllimi ynë është fitimi i besimit të qytetarëve duke bërë një opozitë të vërtetë kundër Edi Ramës në Kuvend. Unë vetëm kam qenë në parlament vitin e kaluar dhe kam bërë shumë beteja me qeverinë.
Një parti e re e sapokrijuar nuk ka shans të vijë në pushtet. Zero shanse. Nuk ndodh në Perëndim, nuk ndodh në lindje. Pyetje keqdashëse të llojit ‘a po futeni në zgjedhje për të qëndruar në opozitë?’. Po! Pse duket e çuditshme?! Do bëhemi pjesë, me shumë gjasa, e opozitës”, tha Shehaj në “News 24”.