Shembet rruga në fshatin Rëmenj të Pogradecit, deputetët e PD: Shkak abuzimet, aksi kushtoi 800 milionë lekë

Rruga në fshatin Rëmenj, në njësinë administrative Buçimas të Pogradecit në qarkun e Korçës, është shembur në disa pjesë të saj, duke rrezikuar jetët e drejtuesve të automjeteve. Deputetja e PD-së, Ledina Alolli dhe kryetari i PD-së në degën Pogradec Oligert Muçllari, kanë vizituar rrugën në fjalë, ku kanë deklaruar se shembja e saj është rezultat i abuzimeve me fondet. Alolli ka deklaruar gjatë fjalës së saj për mediat se rruga e ndërtuar ka kushtuar 800 milionë lekë dhe sipas deputetes demokrate, këto janë para të çuara dëm.

“Së bashku me kryetarin e PD të degës Pogradec jemi sot këtu fshatin Rëmenj në njësinë administrative Buçimas për të parë nga afër problematikën e rrugës. Pamjet tregojnë se çfarë ka ndodhur me rrugën e cila është një abuzim me investimet publike dhe një model i pastër i korrupsionit. Kjo rrugë është inaguruar vetëm pak muaj më parë, një investim që ka kushutuar 800 milion lekë dhe siç e shihni rezultati është i dukshëm, ç’ka do të thotë që banorët e kësaj zone kanë probleme të mëdha sepse jeta e tyre është e pasigurt kur kalojnë këtu, një problematikë që është shfaqur edhe kohë më parë.

Kjo rrugë do të shkaktojë problematika të mëtejshme të cilat mund të vinë deri më bllokimin e kësaj lagjeje për të komunikuar me pjesën tjetër. Ju bëjmë thirrje organeve kompetente për të marrë masa. Të ndërhyjnë te kjo rrugë në mënyrë që të sigurojnë jetën e banorëve. Por ju bëjmë thirrje gjithashtu që të shohin mënyrën e kryerjes së punimeve dhe të marrin në dorëzim dosjen e cila reflekton punimet që janë kryer në këtë rrugë dhe përgjegjësinë e kompanisë së punimeve”, tha mes të tjerash Alolli.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nga ana tjetër, kryetari i PD-së në degën e Pogradecit, Oligert Muçllari, ka hedhur akuza ndaj Bashkisë Pogradec, duke i cilësuar investimet e kryera si të papërgjegjshme. Duke theksuar se në rrugët e Bashkisë Pogradec është abuzuar masivisht me fondet, Muçllari i bëri thirrje organeve ligjzbatuese që ta shikojnë me përparësi rastin në fjalë.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Jemi në fshatin Rëmenj për të denoncuar një rast flagrant dhe të papërgjegjshëm nga ana e bashkisë Pogradec. Kjo tregon ashtu si edhe në shumë investime të tjera të papërgjegjshme, se në këtë rast bashkia Pogradec së bashku me ata të cilët ajo ndan fondet dhe taksat e qytetarëve në mënyrë direkte duke mos i shërbyer qytetarëve, ka kryer përsëri një investim që kap vlerën e mbi 800 milion lekëve, ç’ka do të thotë se edhe pse është inaguruar para disa kohësh, ky investim është i gjithi përtokë dhe është shembur shumë shpejt. Kjo tregon edhe njëherë papërgjeshmërinë e investimeve të bashkisë Pogradec, jo vetëm në këtë fshat por në të gjithë territorin e kësaj bashkie. Cilësia e investimeve lë shumë për të dëshiruar dhe është shumë e papërgjegjshme nga ana institucionale e saj. Ju bëjmë thirje organeve ligjzbatuese ta shikojnë me vëmendje këtë rast, sepse është një rast flagrant që tregon abuzimin me taksat e qytetarëve e sidomos me taksat e trefishuara të banorëve të Pogradecit, që me ardhjen në krye të bashkisë së Ilir Xhakollit. Ne si PD dënojmë këto akte të papërgjgjshme dhe jemi në mbështetje të qytetarëve”, tha mes të tjerash Muçllari.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ikja e Berishës nga kryetar e dëmton PD apo e shpëton?