Shembja e objektit të paligjshëm në Sarandë, IKMT: Leja nuk përputhej me ndërtimet e konstatuara
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka finalizuar në Sarandë procedurën për prishjen e një objekti të ndërtuar pa leje në zonën bregdetare, si dhe ka vendosur masë gjobe ndaj subjektit përgjegjës. Sipas njoftimit zyrtar, inspektorët e IKMT-së kanë kryer më 13 maj një inspektim në lagjen nr. 1, Rruga “Butrinti”, në subjektin “A.B.”, ku në kushtet e flagrancës janë konstatuar disa struktura ndërtimore pa leje, përfshirë objekt 1-katësh me konstruksion metalik dhe betonarme, platforma betoni, struktura mbajtëse, shkallë, sheshpushime dhe elementë të tjerë ndërtimorë, me sipërfaqe të ndryshme.
Në mungesë të dokumentacionit justifikues në momentin e konstatimit, IKMT ka vijuar me procedurat administrative dhe ka miratuar vendimin “Për prishjen e objektit të kundërligjshëm”, si dhe vendimin për gjobitjen e subjektit në vlerën 11,680,054 lekë. IKMT sqaron se më 14 maj ka nisur ekzekutimi i vendimit të prishjes në terren, proces i cili është përmbyllur gjatë ditës së sotme. Në vijim të procedurës, sot përfaqësuesi ligjor i subjektit ka paraqitur pretendimin se ekziston një leje ndërtimi e miratuar nga KKTU për strukturën në fjalë.
Pas verifikimeve të kryera, IKMT ka sqaruar se leja e referuar nga subjekti nuk përputhet me ndërtimet e konstatuara në terren, as me volumin dhe karakteristikat e tyre, përfshirë edhe ndërhyrjet në hapësirën detare. Sipas të dhënave zyrtare, për zonën ekzistonte një leje e KKTU-së me nr. prot. 3509/4, datë 05.08.2025, miratuar me vendimin nr. 53, datë 28.05.2025, për “strukturë shërbimi në stacion plazhi”, me sipërfaqe dhe parametra të përcaktuar, por që nuk përfshin ndërtimet e konstatuar në terren.
Gjithashtu, Agjencia Kombëtare e Bregdetit bën me dije se subjekti “CopaCabana Saranda” ka kërkuar më 25.10.2025 zgjidhjen e kontratës së qirasë për stacionin e plazhit nr. SR-41, kërkesë e cila është pranuar dhe kontrata është zgjidhur zyrtarisht në vijim. IKMT thekson se në këto kushte subjekti nuk gëzonte të drejtën e përdorimit të hapësirës, ndërsa ndërhyrja në terren është kryer në përputhje me legjislacionin në fuqi, me qëllim mbrojtjen e territorit dhe vijës bregdetare nga ndërtimet e paligjshme.
KOHA JONË SONDAZH


