Sherr mes aktivistit dhe deputetes socialiste, Mila: Keni goditur me vezë çdo deputet, më keni bullizuar
Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, u përfshi në debat me aktivistin Ilir Xhemalaj, pasi deklaroi se protestuesit janë kundër “establishment”-it, por ia lakmojnë numrat Partisë Demokratike në protestë.
Xhemalaj: Në grupin tonë organizator nuk ka asnjë eksponent të Partisë Demokratike. Në grupin tonë, si qytetar të lirë mund të vijë kushdo, edhe ju zonja Sara Mila jeni e mirëpritur të vini këtu në këtë protestë dhe ajo që unë dua t’ju them është që këtu shumica e protestuesve, me sa njoh unë, janë nga PS-ja, nuk janë të Partisë Demokratike.
Mila: Si i identifikoni 300 000 njerëz? O keni 10 njerëz dhe prandaj i identifikoni, se po të jenë 300 000 nuk i identifikoni dot. Ose keni sistem patronazhimi që është pak kontradiktore.
Xhemalaj: Në Tiranë jetojmë, shyqyr Zotit i njohim. Dy herë erdhi e provoi Partia Demokratike në këtë shesh. Dy herë është ndjekur nga ky shesh. Që të jemi të qartë. Pjesa tjetër, këtu në këtë shesh mund të dalin sa parti të duan. Kjo nuk varet nga ne.
Mila: Pra, deputetët e Partisë Demokratike që me të madhe thonin sot se vezët nuk bien mbi ta, kanë gënjyer.
Xhemalaj: Atë nuk e di unë, pyesni ata. Unë flas për pjesën e protestës. Nuk flas për Partinë Demokratike.
Mila: A keni gjuajtur vezë mbi deputetët e Partisë Demokratike? A është protesta antiestablishment?
Xhemalaj: Ne kemi gjuajtur vezë mbi çdo deputet që ka dalë nga dera e Parlamentit. Ata një herë nuk i njeh njeri kush janë. Janë njerëz se s’i njeh as lagja e tyre. Janë të futur në lista partish dhe nuk kanë marrë asnjë votë nga populli. Prandaj populli s’ka si t’i njohë. Ne përballemi me Parti Socialiste dhe me çdo parti tjetër, kur të doni ju, mjafton të ndryshoni rregullat e lojës se rregullat e lojës i keni vënë që të fitoni vetëm ju. /A2cnn/
KOHA JONË SONDAZH

