
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, dhe analisti Alban Dudushi janë përfshirë në një debat, të ftuar në emisionin ”Të Paekspozuarit”. Dudushi e ka cilësuar retorikën e Shehajt si hipokrizi. Sipas tij, Shehaj do të sillej ndryshe nëse do të ishte në Itali, ndërsa në Shqipëri mban një qëndrim tjetër ndaj protestave dhe nuk dënon dhunën.
Dudushi: Çfarë më pengon mua te Agroni dhe kur e shoh në aktivitetin e tij në këtë revolucion? Mua më pengon se Agroni, po të ishte në Itali, po të ishte në Milano, këta të pakënaqurit do t’i kishte përballë. Këtu në Shqipëri del në krah të protestës, u bërtet policëve: “Ku mbaron protesta?”. Mua më duket njëlloj bipolarizmi politik. Nga njëra anë, në Itali sillet si italian dok, në Shqipëri sillet si emigrant i brezit të dytë.
Shehaj: Nuk mendova se do ta bënim personale. Ti nuk e di me kë jetoj unë. Nëse e do personale, e bëjmë.
Dudushi: Nëse në Itali do të dilje e ta bëje publikisht, ose do t’i kishe dyert e mbyllura, ose do të kishe akuza si ky amerikan që e kanë arrestuar tani. Nuk do ta kishe këtë shans. Nuk ka asgjë personale. Ky është problem politik. Mua ma bën të pabesueshëm Agronin si politikan. Agronin që me celularin e tij dilte në cep e thoshte: “Kë mendoni se do të jetë kryeministër i Shqipërisë?”. Agroni që përplaset me policët atje.
Pasolini kishte një letër për studentët: “Ju jeni bijtë e baballarëve të pasur”, dhe unë jam me policët. Pasolinit sot nuk e di çfarë do t’i kishte thënë. Ti vjen nga biznesi, futesh në politikë si i djathtë, ti nuk thua dot një fjalë për bizneset. Agroni, në Itali e di çfarë klase politike ka atje, dhe janë distancuar nga dhuna. Ky është një qëndrim që e nderon tjetrin.
Hilja këtu është te protesta, se ka shumë që i vijnë vërdallë protestës, sepse mendojnë se ajo energji do t’i nxjerrë në kreshtë. Këta mendojnë si Sefiria, se ajo dallgë e madhe do t’i nxjerrë në breg. Kjo protestë do të bëjë një ndryshim epokal në Shqipëri, por unë nuk e di ku do të jetë Agroni. Ndryshimi do të ndodhë kur kjo protestë të ketë pjekurinë që këta ose t’i detyrojë të rrinë mënjanë, ose t’i shkrijë brenda vetes, që të mos kenë ambiciet e tyre kryeministrore.
Shehaj: Zotëria, kur vjen puna të më sulmojë mua, e krahason protestën me Italinë. Unë e di që përfaqësuesit e mazhorancës nuk vijnë të përplasen. Është e padrejtë që vini këtu gjoja me kapelen e analistit, ndërkohë që jeni militantë të thekur të mazhorancës.
Dudushi: Për përfitimet që ke?
Shehaj: Përfitimet familjare. Një gazetar thoshte se dyshonte për gazetarët e pasur.
Dudushi: Më thuaj mua çfarë përfitimesh pasurore kam unë nga pushteti. Kjo është të merresh personalisht. M’i thuaj mua tani, sepse unë të denoncoj në gjykatë për shpifje dhe ti paguan 20 vite kreditë e mia. Militantizmin mos ma trego mua.
Shehaj: O, më trembe!
Dudushi: Kjo nuk është kërcënim. Thuaju atyre që ke në katin e tretë të mos më shkruajnë më mua. Nëse e do personalisht, hajde. Unë nuk flas duke e pasur skeletin në dollap.
Shehaj: Miqve të Ramës u ka ardhur fundi.
Dudushi: Me mua personalisht dhe me familjen time nuk ta lejoj ty të merresh. Ose trego përfitimet pasurore, ose mbyll gojën e mos fol, se nuk je politikan.
