Sherr për spitalin e Lushnjes/ Muharremi: PD la sistemin në kolaps! Deputeti: Turp t’i vijë
Deputeti i PD-së, Saimir Korreshi dhe këshilltari socialist Alfred Kika Muharremi u përfshinë në një debat për gjendjen në spitalin e Lushnjes, investimet në shëndetësi dhe përgjegjësitë politike për situatën në spitale.
Korreshi përsëriti akuzat e artikuluara të enjten në Kuvend për gjendjen në spitalin e Lushnjes, duke përshkruar një situatë dramatike ku mungojnë jo vetëm pajisjet bazë por edhe shumë shërbime të rëndësishme. Ai kundërshtoi deklaratat e ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, se spitali po rikonstruktohet dhe solli në kujtesë faktin sipas tij se vetëm 3 vjet më parë, janë hedhur 300 milionë lekë për rikonstruksionin e urgjencës së këtij spitali. 3 vjet më vonë, sipas tij situata është “dramatike” dhe se mungojnë pajisjet bazë për pacientët.
“Shkoj përditë në spitalin e Lushnjes. Situata është dramatike. Është vetëm një godinë që po rikonstruktohet. Po rikonstruktohet një godinë nga 10 që ka spitali. Për urgjencën u hodhën 300 milionë lekë 3 vite më parë. Kush mban përgjegjësi? Me 300 milionë lekë mund të ishin blerë shumë pajisje që mungojnë. Shteti nuk ka blerë asnjë pajisje për atë spital”, tha Korreshi në ”Report Tv”.
Deklaratat e tij sollën reagimin e këshilltarit socialist në Bashkinë e Tiranës, Alfred Kika Muharremi, i cili nga studio e Report TV akuzoi PD-në se po harron gjendjen e sistemit shëndetësor kur vetë kjo parti ishte në pushtet. “Para se të dilni në parlament, kthejuni nga ana e grupit tuaj parlamentar që kanë drejtuar nga 2005-2013 dhe nuk i kanë bërë këtij vendi një spital e asnjë pajisje. Socialistët morën një sistem shëndetësor në kolaps. Sot kemi 53 spitale të reja dhe 400 qendra shëndetësore të rehabilituara”, deklaroi Muharremi.
Korreshi reagoi ashpër ndaj kësaj deklarate, duke thënë se qytetarët nuk mund të justifikohen me të shkuarën ndërsa sot përballen me mungesë shërbimi në spitale. “Përralla me mbret janë këto. Ore jeni mirë nga mendtë e kokës? Kemi 13 vite në pushtet. 13 apo 8 kush është më shumë? Atë spitalin e Lushnjes e ka bërë PD, pediatrinë, gjinekologjinë, por edhe po s’i pati bërë, PD ta ketë për turp që nuk i bëri. Ngaqë s’është bërë atëherë duhet të rrimë kështu? Po vdesin njerëzit”, u shpreh ai.
KOHA JONË SONDAZH

