Sherri për pronën te ”Kepi i Rodonit”, ish-deputeti Frroku: Nuk ka ndodhur gjë, s’kam konflikte
Të dielën u shënua një sherr pronësie që agravoi deri në përdorimin e armës. Kjo ndodhi në zonën e Kepit të Rodonit. Në konflikt janë përfshirë disa persona që pretendojnë se janë përfaqësues të Kishës Katolike, me banorët e fshatit Shetaj, mes tyre edhe ish-deputeti i PS Mark Frroku dhe të afërm të tij. Si pasojë policia ka vënë në pranga 8 persona që janë përfshirë në konflikt, mes tyre edhe Frroku.
Përfaqësuesja e Kishës Katolike në këtë zonë, Ana Shtjefni ka thënë për një media në vend, se personat që kanë pretenduar se janë përfaqësues të Kishës, nuk janë të tillë. Ajo ka deklaruar se personat që kanë nisur rrethimin e zonës dhe nuk janë përfaqësues të Kishës dhe as të autorizuar nga kjo e fundit, dhe se sipas Shtjefnit kanë dashur vetëm të përfitojnë nga ky konflikt.
Ish-deputeti i PS-së, Mark Frroku nuk ka deklaruar diçka në lidhje me konfliktin për pronën te ”Kepi i Rodonit”. Pavarësisht se blutë kanë administruar pamje filmike ku dokumentojnë veprimet e dhunës, Frroku u ka thënë hetuesve se nuk dinte asgjë, nuk kishte ndodhur asgjë dhe nuk ishte konfliktuar askush.
Për shkak të deklarimeve të tij i janë shtuar në ngarkim edhe veprat penale moskallëzimit të krimit dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Praninë e tij në zonë e ka justifikuar si ndërtues i murit dhe ishte pajtuar nga përfaqësuesit e kishës. Të njëjtën gjë ka pretenduar edhe për shoferin e tij Besnik Toma, sipas të cilit nuk ka asnjë dijeni të jetë qëlluar me armë.
Policia e Shtetit ka zbardhur akuzat ndaj 8 të arrestuarve. Bajram Kaçuli, Ylli Reka, Erjon Reka dhe Orgito Reka, akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “ Vetëgjyqësia”; Personat që pretendojnë se janë përfaqësuesit e kishës: Mark Frroku, Antonio Lazari, Pal Doda dhe Martin Lazeri, akuzohen për veprat penale “Kanosja”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike.