Shifrat e frikshme/Ulen aksidentet por rritet numri i viktimave
Rrugët e Shqipërisë janë përgjakur këtë vit dhe sipas një raporti të fundit, situata është e rëndë. Aksidentet rrugore në vend ka ardhur në rënie që nga viti 2018. Edhe pse aksidentet janë ulur, numri i viktimave prej tyre është rritur.
Sipas shifrave të fundit të publikuara nga INSTAT për muajin nëntor të 2019 tregojnë se numërohen 109 aksidente rrugore nga 130 aksidente të ndodhura në muajin Nëntor 2018, duke u ulur me 16,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në njëmbëdhjetëmujorin e 2019, numërohen 1.363 aksidente rrugore nga 1.582 aksidente të ndodhura në njëmbëdhjetëmujorin e 2018, duke u ulur me 13,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në muajin Nëntor 2019, aksidentet rrugore në 76,1 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 32,1 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 22,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në njëmbëdhjetëmujorin e 2019, aksidentet rrugore në 15,2 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 33,4 %, krahasuar me një vit më parë.