Shisnin drogë te konviktet, prokuroria kërkon 92 vjet burg
Prokuroria e Korçës kërkon një dënim në total me 92 vjet burgim për 10 persona, të gjithë pjesë e një grupi që shpërndanin lëndë narkotike kokainë, heroinë dhe cannabis në zonën e ish-Konviktit, në këtë qytet. Ata akuzohen për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike”.
Procesi ndaj të pandehurve është zhvilluar me gjykim të shkurtuar dhe ata përfitojnë uljen me 1/3 e dënimit në rast se shpallen fajtorë.
Në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se këta shtetas, në aktivitetin e tyre kriminal, orientonin blerësit e lëndës narkotike që ta konsumonin brenda ambjenteve të ish-konviktit, me qëllim mos-zbulimin e tyre nga ana e autoriteteve shtetërore.
Po ashtu, këta shtetas, realizonin aktivitetin e tyre kriminal, duke krijuar struktura “roje” në dy hyrjet kryesore të godinës së ish-Konviktit, me qëllim që të evidentonin dhe të shmangin ndonjë ndërhyrje eventuale të forcave policore. Sipas planeve të grupit, nëse policia do të ndërhynte për kontroll nga njëra anë, ata do të mund të dilnin ose të fshihnin gjyrmët nga ana tjetër.
Duke qenë se godina ishte e madhe, anëtarët e grupit kishin krijuar aksese të ndryshme për t’iu shmangur kontrolleve.
KOHA JONË SONDAZH

