“Shkarkimi i Metës?”, pas Venecias, Rama nis reflektimin. Manja: Do ta peshojmë mirë politikisht nëse prekim Kushtetutën

Pavarësisht se dy opinionet e Komisionit të Venecias, nuk mbështesin shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, mazhoranca nuk është e gatshme të pranojë humbjen e kësaj beteje dhe të ndërpresë hetimin parlamentar.

“Do të administrohet edhe opinioni i dytë dhe do të ketë një diskutim shterues në Komisionin Hetimor për të dy opinionet e Komisionit të Venecias për këtë çështje”, u shpreh Ulsi Manja.

Për tu shmangur përplasje të mëtejshme të ngjashme mes presidencës dhe qeverisë, Komisioni i Venecias kërkonte  rregullime ligjore. Mazhoranca do të nisë punën për to.

 “Sigurisht që do të reflektojmë sa të jetë e mundur të gjitha sugjerimet e Komisionit të Venecias. Nëse ne do të çmojmë që ka nevojë për ndërhyrje në Kushtetutë, do të ndërhyhet edhe në Kushtetutë. Por ne do ta peshojmë mirë politikisht një gjë të tillë,” tha më tej Manja.

Në Komisionin e Ligjeve janë ende pa u shqyrtuar dy dekrete të Metës, të cilat kundërshtojnë formulën zhbllokuese të socialistëve, që betimi i gjyqtarëve t’i hiqet presidentit.

 “Është një dekret që ka të bëjë me kthimin e ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, aty ku kemi parashikuar një formulë që ka të bëjë me betimin, si dhe një ndërhyrje që ka të bëjë me trajtimin financiar të SPAK. Po ashtu, është dhe një dekret tjetër që ktheu pas ndryshimet ligjore për një mekanizëm zhbllokimi për betimin e  Gjyqtarëve Kushtetues. Edhe gjatë shqyrtimit të këtyre dy dekreteve ne do të marrim në konsideratë dhe do të analizojmë me gjithë vëmendjen e duhur opinionet e Komisionit të Venecias”, tha më tej Manja.

Mazhoranca nuk jep një përgjigje finale nëse Marsida Xhaferllari është tashmë një gjyqtare kushtetuese e konfirmuar edhe nga opinioni i Venecias.

 “Përgjigjen më të saktë për këtë do ta japë vetë Gjykata Kushtetuese”, u shpreh ai.

Ka disa kërkesa të ndryshme për ndërhyrje në Kushtetutë, ndaj Kuvendi do të thërrasë Këshillin e Legjislacionit për t’i shqyrtuar ato./abcnews.al

SHKARKO APP