Shkatërrohet banda me 16 “skifterë”, shumica shqiptarë
Garda Civile e Valencias, në kuadër të operacionit “Neckars”, ka arrestuar 16 anëtarë të një organizate kriminale, e dyshuar si përgjegjëse për një grabitje me dhunë brenda një vile në qytezën e Bétera, ku plagosën të zotët e shtëpisë duke mos kursyer as dy fëmijët e tyre të mitur.
Operacioni nisi kur agjentët mësuan për grabitjen e shtëpisë në Bétera, kur pjesëtarë e familjes ishin dhunuar rëndë nga grabitësit. Ata madje kanë plagosur me sende të mprehta dhe i kanë kërcënuar të miturit se do t’u merrnin jetën prindërve nëse nuk bashkëpunonin për të treguar ku fshihej kasaforta.
Djalit të madh të çiftit të sulmuar (vetëm 13 vjeç) i është vendosur një thikë në fyt dhe e kanë bërë dëshmitar të rrahjes së babait të tij, kështu që biznesmeni ka pranuar t’u tregojë vendndodhjen dhe kombinimin e kasafortës.
Grupi i “skifterëve” ka zbërthyer kasafortën duke u larguar nga vendngjarja me bizhuteri, ora dhe sende të tjera me vlerë rreth 175,000 euro. Më pas erdhi denoncimi, me viktimat që i dhanë agjentëve informacione të vlefshme për grabitësit, duke zbuluar se ishin persona nga Evropa Lindore, të veshur me veshje teknike të errëta, me kamera dhe mjete të ndryshme, të ngjashme me ato të grupeve paramilitare.
Falë identifikimit të një pjese të numrit të targës dhe modelit të një automjeti, agjentët bënë të mundur lokalizimin e makinës në një shtëpi në qytetin El Puig de Santa María. Pasi mësynë në këtë banesë, agjentët arritën të gjejnë një gjurmë gishti të pjesshme që korrespondonte me ato të një shtetasi shqiptar, për të cilin ka denoncime të shumta për grabitje me dhunë në Spanjë dhe Shqipëri. Përmes Interpolit më pas u mësua se mbi shqiptarin është lëshuar edhe një urdhër gjyqësor, për gjithsej 12 grabitje me armë zjarri.
Pas hetimeve të shumta, Garda Civile arriti të identifikojë pjesën tjetër të anëtarëve të organizatës kriminale, të cilët ishin fshehur në një shtëpi me qira, ku pronarit i ishin paraqitur si futbollistë. Për më tepër, adresat e të gjithë anëtarëve ishin të vendosura në qytetet Ibiza, Arganda del Rey (Madrid), Burriana (Castellón) dhe Mislata (Valencia). Në këtë mënyrë janë arrestuar dhe dërguar në burg edhe tre prej anëtarëve të tjerë të bandës.
Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar 16 persona: 11 meshkuj dhe pesë femra të moshave nga 25 deri në 67 vjeç dhe me kombësi shqiptare, maqedonase, rumune, kineze dhe spanjolle. Ata akuzohen të gjithë për veprat penale të grabitjes me dhunë, ndalim të paligjshëm, plagosje, zhvatje dhe organizim kriminal, ndërsa janë kërkuar të dhëna për të arrestuarit edhe nga autoritetet shqiptare.
Grupi i “skifterëve” rezulton se kanë pasur përgatitje paraushtarake, gjë që e ka vështirësuar edhe më tepër zbulimin dhe kapjen e tyre. Secili prej tyre banonte në një provincë të ndryshme spanjolle dhe grupi bashkohej vetëm për të kryer akte kriminale të planifikuara më parë.
Pas tetë kontrolleve të kryera, Garda Civile ka sekuestruar 126 mijë euro para cash, pesë automjete luksoze, bizhuteri, një shufër ari, frenues frekuencash, veshje teknike, kapuç, armë zjarri, një numër të madh thikash, kamera vëzhgimi, mjete për të hapur dyer si gërshërë e kaçavida, por edhe pajisje elektronike të shtrenjta.