Shkatërrohet banda në Itali, arrestohen shqiptarë e italianë
Policia e Piacenzës ka arritur të shkatërrojë një rrjet të prostitucionit lokal, duke vënë në pranga shtetas shqiptarë dhe italianë. Banda kryente një sërë veprimtarish kriminale, si prostitucioni, shitja e kokainës, si dhe ndihmë të emigracionit të jashtëligjshëm.
Agjentët policorë kanë përdorur aparate të sofistikuara për të përgjuar shfrytëzuesit e prostitutave nëpër rrugët e Piacenzës. Si rrjedhojë e hetimeve, policia arrestoi disa persona, shqiptarë e italianë. Katër prej tyre përfunduan në burg, një në arrest shtëpie dhe pesë janë detyruar që të paraqiten në policinë gjyqësore, shkruajnë mediat italiane.
Sipas skemës të ndërtuar nga hetuesit, rezulton se banda trafikonte vajza të reja shqiptare, duke u siguruar atyre apartamente dhe makina të shtrenjta. Ndër të arrestuarit janë dy shqiptarë, të dyshuar si krerë të bandës, të dy banues në Piacenza, si dhe të dy me precedentë të shumëfishtë kriminalë.
Të dy, falë teknologjisë, monitoruan vajzat nga distanca, organizuan lëvizjet e tyre dhe trajtuan aspektet e ndryshme logjistike, duke bërë të mundur funksionimin e rrjetit të prostitucionit. Jo vetëm kaq; hetimet zbuluan edhe martesa fiktive midis prostitutave shqiptare dhe disa italianëve, të cilët, në këtë mënyrë, favorizuan jo vetëm praktikën e prostitucionit, por edhe qëndrimin e paligjshëm të vajzave në Itali. Gjithsesj u arrestuan 13 persona.