Shkelën rregullat e qëndrimit në zonën Shengen, 3 vjet penalizim për 38 shqiptarë

Tre vjet penalizim për 38 shtetas shqiptarë që shkelën rregullat rregullat e qëndrimit në zonën Shengen.

Ditën e mërkurë, në Rinas janë kthyer me Charter nga Belgjika 38 shtetas shqiptarë, të cilët kanë shkelur rregullat e qëndrimit në Zonën Shengen. Shtetasit deportivë janë shoqëruar nga Përfaqesuesja e Belgjikës, Katy Verzelen dhe jane pritur nga Charles de Wiinter -Atasheu policor i Belgjikës në Tiranë.

Perfaqesuesja e Belgjikës Katy Verzelen në aeroportin e Rinasit ka dhënë një intervistë për median, duke shprehur edhe një herë vendosmërinë e Belgjikës për zbatimin me rigorozitet të rregullave të qëndrimit nga shtetasit shqiptarë. Ajo ka theksuar se asnjë shtetas nuk do të përfitojë leje qëndrimi duke kërkuar azil politik apo azil ekonomik.

Më tej, Verzelen u ka bërë apel të gjithë shtetasve shqiptarë që udhëtojnë për në Belgjikë qe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e lëvizjes në hapsirën Shengen, pasi cilido shtetas që do kapet duke shkelur rregullat, do të kthehet forcërisht në Shqipëri.

Nga ana tjetër, Shefi i Komisariatit të Policisë Rinas, Ermal Milori, ka theksuar rëndësinë e zbatimit të rregullave nga ana e shtetasve shqiptarë të cilët udhëtojnë në Zonën Shengen. Sipas tij, shkelja e rregullave të qëndrimit në Zonën Shengen, si dhe kërkimi i azilit në këto vende për çdo lloj arsye është i paligjshëm dhe i penalizon ata persona që shkelin këto rregulla. 

SHKARKO APP