
Akademikut Luan Omari iu dha sot lamtumira e fundit në një ceremoni mortore të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe komunitetit akademik.
Në ceremoni ishte i pranishëm edhe Prefekti i Qarkut Tiranë, i cili, së bashku me nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, Sadi Vorpsi, përcolli me nderim figurën e akademikut të njohur.
Luan Omari ishte një prej pjesëmarrësve aktivë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe një nga emrat e spikatur të së drejtës kushtetuese në Shqipëri. Kontributi i tij në shkencë, jurisprudencë dhe jetën akademike ka lënë gjurmë të rëndësishme në trashëgiminë intelektuale dhe kombëtare të vendit.
Në këtë ditë ndarjeje, Prefekti i Qarkut Tiranë shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe komunitetin akademik, duke vlerësuar veprën dhe kontributin e akademikut Luan Omari.
Kujtimi dhe puna e tij do të mbeten pjesë e trashëgimisë së shkencës dhe kulturës shqiptare.

