Shkodër/Manastirliu: Ulen radhët e pritjes për koronarografitë, përfituan mbi 6800 pacientë
Shërbimi i hemodinamikës në spitalin rajonal të Shkodrës ofrohet brenda 24 orëve, duke zeruar radhët e pritjes për këtë shërbim jetik për qytetarët, që sot ofrohet afër vendbanimit. Gjatë vizitës në spitalin e Shkodrës, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se falë bashkëpunimit me shërbimin universitar të QSUT-së, spitali i Shkodrës po mbulon shërbimin e koronarografisë për të gjithë zonën e veriut.
Manastirliu tha se 98% e koronarografive kryhen në spitalet publike. ”6,835 qytetarë kanë përfituar nga paketat e zemrës në spitalet publike dhe jo publike këtë vit. Rritja e kapaciteteve në spitalet publike me ngritjen e tre qendrave të hemodinamikës në spitalin ”Shefqet Ndroqi”, në Fier dhe Shkodër, ka mundësuar që 98% e këtij shërbimi të ofrohet në spitalet publike”.
Në rang vendi, radhët e pritjes për shërbimin e koronarografisë janë reduktuar në dy javë, si rezultat i investimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për Njësitë e Hemodinamikës, ndërsa ndërhyrjet e kryera janë rritur me 20% në 10 mujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Manastirliu deklaroi se me kapacitetet e shtuara, synimi është mbulimi i plotë i paketave të zemrës në spitalet publike.