Shkodër, shpërthen bombola e gazit duke rrezikuar jetën e studentëve

Shpërthimi i bombolës së gazit për pak mund të ishte kthyer në tragjedi mbrëmjen e së premtes, 20 mars, në qytetin e Shkodres.

Ngjarja është shënuar rreth orës 21.00 në katin e tretë të një banese në bulevardin “Bujar Bishanaku” pranë stadiumit “Loro Boriçi”.

Nga shpërthimi banesa në pronësi të familjes Meta, brenda së cilës jetonin me qera studentë, është përfshirë menjëherë nga flakët, të cilat janë përhapur me shpejtësi, duke i lënë këta të fundit të izoluar brenda.

Në pamundësi për të dalë jashtë banesës nga flakët që përpinin me shpejtësi çdo gjë që ndodhej brenda, studentët kanë vrapuar në ballkon nga ku kanë lëshuar alarmin për ndihmë.

Të parët që kanë reaguar ishin të zotët e shtëpisë dhe fqinjët që lajmëruan shërbimin zjarrfikës dhe policinë.

Këto të fundit me të mbërritur në vendngjarje kanë nisur lokalizimin e flakëve dhe nxjerrjen e studentëve nga kati i tretë i banesës.

Ndërhyrja është bërë përmes shkallëve nga ballkoni i ndërtesës ngjitur, ndërsa “lufta” me flakët ka vijuar për më shumë se 30 minuta.

Fatmirësisht nga ky zjarr nuk pati të lënduar, ndërsa dëmet materiale kanë qënë të mëdha, duke mos arritur të shpëtohej asgjë.

Lokalizimi i flakëve shmangu përmasat e kësaj ngjarje, pasi ndërtesat ngjitur me njëra – tjetrën rrezikonin të përfshiheshin nga flakët. Tashmë policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e shpërthimit të bombolës së gazit.

 

SHKARKO APP