Shkodra ”rrethohet” nga 21 kamera, eksperti Softa: Të hetohet ku janë blerë nga kriminelët

Në Shkodër, Policia ka çmontuar të shtunën 21 kamera të vendosura në shtyllat elektrike, në rrugë, për të mbledhur informacion, për qëllime kriminale.

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, thotë se duhet hetuar ku janë blerë kamerat që vendosën kriminelët në Shkodër. “Problemi është se duhet parë në ç’formë dhe ç’mënyrë është marrë transmetimi se kamera në vetvete nuk transmeton, kamera është në sy që merr”,-thotë Softa. Bëhet me dije se kamerat e çmontuara janë vendosur nga persona apo grupe kriminale me qëllim marrjen e informacionit për lëvizjet e Policisë.

Edhe Sali Berisha ka mbajtur një qëndrim, ku thotë se vendosja e kamerave është dëshmi se qyteti vijon që të jetë nën sundimin e mafies. Sipas Berishës, një sistem kamerash të specializuara nga organizatat kriminale, ka edhe në Vlorë, Elbasan e në Korçë, kudo jeni të filmuar.

“Mafia është ajo që sundon kudo. Vendosja e Shkodrës në një sistem kamerash të specializuara nga organizatat kriminale, është dëshmia më flagrante e gjithë fuqisë së mafias në këtë vend. Mendoni ju se është vetëm Shkodra? Absolutisht jo. Është çdo pjesë e këtij territori. Shkoni në Vlorë, nisuni në Elbasan, në Korçë, kudo jeni të filmuar”,-tha Berisha.

SHKARKO APP