Shkolla e Magjistraturës hap aplikimet, vendet vakante dhe kriteret

Shkolla e Magjistraturës ka hapur zyrtarisht aplikimet për provimin e pranimit për vitin akademik 2025-2026. Kandidatët e interesuar mund të konkurrojnë për një nga vendet vakante të ofruara në disa profile të sistemit të drejtësisë. Sipas njoftimit, për këtë vit akademik janë vënë në dispozicion: 10 vende për gjyqtarë, 12 vende për prokurorë, 3 vende për ndihmës ligjorë në gjykatë, 3 vende për këshilltarë ligjorë në prokurori 7 vende për avokatë shteti në nivel vendor pranë ministrive dhe zyrave vendore

KRITERET PËR KONKURRIM

Kriteret për konkurrim për kandidat për magjistrat janë të parashikuara në ligj nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”,

Kriteret për konkurrim për ndihmës ligjor në gjykata janë të parashikuara në ligj nr. 98/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, dhe vendim nr. 26, datë 29.01.2025 të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Kriteret për konkurrim për këshilltar ligjor në prokurori janë të parashikuara në ligj nr. 97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

Kriteret për konkurrim për avokatë shteti janë të parashikuara në ligj nr.10018, datë 13.11.2008 “Për avokaturën e shtetit”, i ndryshuar dhe në Vendimin e Avokatit të Shtetit, përcjellë Shkollës së Magjistraturës me shkresë nr.380/1 Prot, datë 31.01.2025 dhe janë si vijojnë:

Çdo person ka të drejtë të kandidojë në Shkollën e Magjistraturës, për t’u pranuar në formimin Fillestar për “Avokat Shteti”, nëse përmbush njëkohësisht kriteret e mëposhtme:

a) ka zotësi të plotë për të vepruar;

b) është shtetas shqiptar;

c) ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi, me diplomë “Master i shkencave”, ose të barasvlershëm me të, sipas përcaktimeve të legjislacionit të arsimit të lartë, referuar nenit 124 të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë”. Diplomimi i tyre duhet të mbështetet në përfundimin e një programi sipas sistemit të Bolonjës 5-vjeçar, ose të jetë diplomuar si “Jurist” me një diplomë universitare të fituar para përshtatjes së studimeve sipas sistemit të Bolonjës në një program 4-vjeçar, e cila është ekuivalente me një Diplomë të Integruar të Nivelit të Dytë, (DIND)”;

d) ka notë mesatare të përgjithshme mbi 8 (tetë); për të diplomuarit “Jurist”, në programe në gjuhë të huaj jashtë vendit, parashikohet një koeficient vështirësie të barabartë me 1.2, i cili do të ponterojë mesataren e tyre faktike;

d/l) nota mesatare e përgjithshme del nga shumatorja e notave të të gjitha lëndëve të zhvilluara në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve e pjesëtuar me numrin total të tyre;

e) ka të paktën tre vjet përvojë profesionale aktive me kohë të plotë si jurist, pas diplomimit në ciklin e plotë të studimeve universitare, në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, në administratën publike, profesionet e lira ligjore, mësimdhënie në fakultetet e drejtësisë, ose në çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me to, në sektorin privat ose organizatat ndërkombëtare;

f) nuk është dënuar me vendim penal të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, që, për shkak të veprës se kryer, diskrediton pozitën dhe figurën e avokatit të shtetit dhe dëmton rëndë besimin e publikut në administratën shtetërore dhe sistemin gjyqësor, pavarësisht nëse është rehabilituar sipas parashikimeve të Kodit Penal;

g) nuk është larguar nga detyra ose nuk i është hequr licenca, autorizimi ose leja për ushtrimin e një profesioni për shkaqe disiplinore, si dhe nuk ka masë disiplinore në fuqi;

h) nuk është anëtar i partive politike në kohën e kandidimit;

i) nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990;

j) nuk ka qenë bashkëpunëtor, informator ose agjent i shërbimeve sekrete.

DOKUMENTET PËR APLIKIM

Në dosjen personale për regjistrim, kandidati duhet të plotësojë dhe ngarkojë elektronikisht në smvshm.magjistratura.edu.al dokumentet e mëposhtme origjinale ose kopje të noterizuara të tyre:

Kërkesën e aplikimit për profilin e zgjedhur si gjyqtar, prokuror, këshilltar ligjor, ndihmës ligjor dhe avokat shteti. Kërkesa plotësohet elektronikisht në formularin unik të platformës SMVSHM (Aneksi 1 )

Diplomat universitare dhe listat e notave për studimet që ka ndjekur;

Dëshmi/certifikatë të mbrojtjes së një prej pesë gjuhëve zyrtare të Bashkimit Europian: anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht dhe spanjisht, mbi bazën e testeve ndërkombëtare, të njohura nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Nëse individi ka fituar një diplomë universitare të një programi studimi për drejtësi, të kryer në një nga vendet e Bashkimit Europian dhe në programin mësimor të studimeve është vlerësuar edhe për njërën prej këtyre pesë gjuhëve të huaja, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri për profilet gjyqtar dhe prokuror;

Jetëshkrimin;

Kartën e identitetit;

Vërtetim për gjendjen gjyqësore;

Raportin mjeko-ligjor;

Dëshmi, vërtetime dhe rekomandime nga persona dhe institucione ku kanë punuar tri vitet e fundit;

Vërtetim nga punëdhënësi i fundit dhe/ose organet disiplinore që nuk është larguar nga detyra ose i është hequr licenca, autorizimi ose leja për ushtrimin e një profesioni për shkaqe disiplinore;

Deklaratë që vërteton se nuk është anëtar i partive politike në kohën e kandidimit;

Deklaratë që nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990; si dhe nuk ka qenë bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete;

Librezën e punës që të vërtetojë periudhën e vjetërsisë në punë, vërtetim për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore (nga e-albania nga viti 2012 e në vijim) që tregojnë kontributet e derdhura për shkak të punësimit në vite ose, kur është rasti detyrimet tatimore të derdhura në vite për shkak të zhvillimit të profesioneve të lira juridike.

Një fotografi;

Mandat pagese për regjistrimin në vlerën 12.000 lekë. (Tarifa e rregjistrimit paguhet vetem 1 herë për të gjitha profilet)

UDHËZIME MBI MËNYRËN E APLIKIMIT

Klikohet në linkun smvshm.magjistratura.edu.al

Regjistrohet në platformë

Konfirmohet llogaria hyrëse dhe njoftohet me e-mail;

Aplikohet për regjistrim

Ngarkohet dokumentacioni

Dorëzimi elektronik

Dorëzimi i dokumentacionit të noterizuar fizikisht në Sektorin e Formimit Fillestar, pranë Shkollës së Magjistraturës.

Në fund të njoftimit gjendet video ilustruese të hapave të regjistrimit elektronik.

KUJDES! Regjistrimi do të konsiderohet i kryer në momentin kur kandidati të dorëzojë një kopje të noterizuar të këtij dokumentacioni në sekretarinë e Shkollës, pas ngarkimit të dokumentacionit në SMVSHM.

Dokumentet dorëzohen çdo ditë, nga data 1 shkurt deri në 28 shkurt 2025, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës në orën 9.00-14.00.

Adresa e Shkollës së Magjistraturës: Rruga “Ana Komnena”, Godina “Poli i drejtësisë”, Tiranë, Shqipëri.

DATAT E PROVIMEVE

Provimi i pranimit do të organizohet me shkrim në dy faza.

FAZA E PARË

Datë 22 prill 2025, ora 8.00-13.00, Salla e Koncerteve, Pallati i Kongreseve, Tiranë.

FAZA E DYTË

Datë 24 dhe 25 prill 2024, ora 8.00-13.00, Holli kryesor i Pallatit të Kongreseve, Tiranë.

Konkurrentët, në të gjitha fazat e organizimit të provimit të pranimit, duhet të kenë me vete dokumentin e identifikimit.

Programi i provimit të pranimit (ku do të gjeni edhe listën e lëndëve që do të shërbejnë si bazë për testimin) është i publikuar në faqen e internetit të Shkollës www.magjistratura.edu.al. Programi i provimit i përgjigjet të dyja fazave të provimit: testi i inteligjencës, gjuhë shqipe, legjislacioni i BE-së, marrëdhënie ndërkombëtare, e drejtë e krahasuar (parimet e përgjithshme), historia e shtetit dhe të së drejtës, etikë profesionale, e drejtë kushtetuese, e drejtë civile dhe e detyrimeve, procedurë civile, e drejtë penale, procedurë penale, e drejtë administrative, e drejtë familjare, e drejtë tregtare, e drejtë e punës.

SHKARKO APP