Shkolla e Magjistraturës hap garën për drejtorin e ri

Shkolla e Magjistraturës prej disa muajsh drejtohet nga një drejtues i komanduar, pasi Sokol Sadushi tashmë është anëtarë i Gjykatës së Lartë. Sipas ligjit, pas largimit të Sadushi institucioni duhet të zgjedh drejtorin e ri. Këshilli Drejtues i shkollës që prodhon gjyqtarët dhe prokurorët e rinj, ka shpallur vakant vendin e drejtorit të kësaj shkolle. Në bazë të ligjit, kandidatët duhet të kenë diplomë master në juridik, eksperiencë pune jo më pak se 10 vjet për gjyqtarët e prokurorët dhe jo më pak se 15 vjet për juristët. Mandati i drejtorit të Magjistraturës është 4-vjeçar me të drejtë riemërimi vetëm një herë.

Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës të Republikës së Shqipërisë shpall vendin vakant për Drejtor të Shkollës së Magjistraturës. Kandidatët duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:

a) të kenë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;

b) të kenë punuar si gjyqtarë ose prokurorë për jo më pak se 10 vjet ose si juristë për jo më pak se 15 vjet;

c) të kenë jo më pak se 10 vjet mësimdhënie në Shkollën e Magjistraturës nga marrja e gradës shkencore “Doktor” ose jo më pak se 5 vjet mësimdhënie në Shkollën e Magjistraturës nga marrja e titullit shkencor “Profesor”, ose jo më pak se 15 vjet mësimdhënie si pedagogë të brendshëm ose pedagogë të jashtëm në Shkollën e Magjistraturës;

ç) të mos jenë të dënuar penalisht me vendim të formës së prerë;

d) të mos kenë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.

Krahas kërkesës me shkrim, të interesuarit të bashkëngjisin dokumentet e mëposhtme:

a) jetëshkrimin e përditësuar;

b) një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin në qoftë se zgjidhen;

c) çdo dokument tjetër që vërteton përmbushjen e kushteve ligjore, të parashikuara në nenin 249 të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”

SHKARKO APP