Shkolla fillon me 180 mijë nxënës më pak në arsimin parauniversitar

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, zëdhënësja e PD-Demokratëve Euroatlantikë, Mirela Karabina u shpreh se panorama e këtij viti është shembje shkollash e mbyllje e tyre si normë dhe propaganda e dështimeve të refomave në arsim.

“180 mijë nxënës më pak në arsimin parauniversitar dhe 295 shkolla 9-vjeçare të mbyllura që nga 2013-ta, rënie me 40% të numrit të nxënësve në zonat rurale dhe 20% në ato urbane (INSTAT) dëshmojnë shpopullimin masiv të vendit për shkak të korrupsionit qeverisës dhe humbjes së shpresës, migrimit të detyruar të familjeve nga fshati në qytet në kërkim të arsimimit më të mirë të fëmijëvë të tyre”, u shpreh Karabina.

Sipas saj, janë 222 vende të paplotësuara për mësues matematike dhe mësues të gjuhës dhe letersisë në gjithë vendin por sidomos në zonën veriore (Monitor 2024) për shkak të rënies së interesit për të vazhduar mësuesinë, pasojë kjo e indiferencës së Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit me situatën e rëndë të mungesës së mësuesve dhe formimit universitar të tyre.

“30 mësues në arsimin parashkollor janë regjistruar vitin e kaluar në Universitete, alarm ky që shumë shpejt do mbetemi dhe pa edukatorë të moshës më të rëndësishme të fillimit të edukimit”, vijoi Karabina.

Sipas saj, vlerësimi ndërkombëtar “PISA 2022” për nxënësit 15 vjeçarë dëshmoi qartë se shkolla jonë vuan nga brendia dhe thelbi. /ATSH/

SHKARKO APP