Shkresa/ Veliaj prish kontratën, “Pulëbardha” e Nanos drejt largimit nga stadiumi

 

Bashkia e Tiranës kërkon të prishë kontratën me kompaninë “Joy Travel”,  për qiranë, që ka qenë e lidhur me datë 14 dhjetor 2004 mes Ministrisë së Ekonomisë dhe shoqërisë “Joy Travel”, kohë kur Nano ishte kryeministër dhe Rama kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Përveç zyrave të agjencisë së udhëtimit “Joy Travel”, kompani që drejtohet nga bashkëshortja e ish-kryeministrit Nano, në ambientet e stadiumit ndodhet edhe restoranti i tyre, “Pulëbardha”.

Në shkresën zyrtare, e cila i është dërguar për dijeni edhe administratorit të Klubit “Tirana”, Refik Halili, thuhet se “Bashkia e Tiranës, në cilësinë e pronarit të Stadiumit “Selman Stermasi” dhe Aneksit Sportiv, është e informuar se subjekti “Pulëbardha” është i pajisur me NIPT sekondar të shoqërisë “Joy Travel”, por jo për aktivitetin që kryen në këto ambiente”.

Sipas shkresës, qiramarrësi ka detyrë të respektojë kontratën, për përdorim të përkohshëm të objektit si lokal shërbimi 24 orësh në shërbim të udhëtarëve.

“Në kushtet ku shoqëria “Joy Travel” nuk po përdor sendin për qëllimin e sipërpërmendur, Bashkia e Tiranës kërkon zgjidhjen e kontratës para afatit të përcaktuar, prej 20 vjetësh. Me përmbushjen e afatit paraparak të njoftimit me shkrim (15 ditë), Bashkia e Tiranës e konsideron kontratën e qirasë të zgjidhur”, përfundon shkresa e Bashkisë.

Ajo është firmosur nga Drejtoresha e Drejtorisë së shërbimeve mbështetëse në Bashkinë e Tiranës, Irena Ndroqi.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi disa kohë më parë në një emision televiziv se aksioni në Njësinë nr. 5 do të vazhdojë dhe me prishjen e restorantit në pronësi të ish-kryeministrit dhe ish-kreut të PS-së, Fatos Nano, duke pretenduar se është edhe pa leje.

Por duke qenë se kontrata do të prishet në mënyrë të njëanshme nga bashkia, pasi ajo është marrë për një periudhë 20-vjeçare, “Joy Travel” me shumë gjasa do t’i drejtohet gjykatës për të anuluar atë ose për të kërkuar dëmshpërblim.  

SHKARKO APP