
“Është një goditje e rëndë morale për ne”, shprehet Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, pas dëmtimit të pllakave përkujtimore të katër viktimave të 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Gjatë protestës së një dite më parë, tre nga pllakat e bronzit të vendosura në nderim të Aleks Nikës, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Ziver Veizit janë shkulur plotësisht, ndërsa pllaka e Aleks Nikës është shkulur pjesërisht dhe është dëmtuar.
Në një intervistë nga vendi ku ndodhet pllaka përkujtimore e nipit të tij, Mark Nika tha se e kishte mësuar nga mediat dëmtimin e saj.
“Është vrarë Aleksi më 21 Janar nga Garda e Republikës. Në shenjë kujtimi është vendosur kjo pllakë, për të përkujtuar vendin dhe ditën e vrasjes së Aleksit. Sot nga mediat mësova, forca të errëta, nuk e di se kush mund ta ketë bërë, e kanë zhveshur, e kanë hequr pllakën, për të na bërë që edhe këtë kujtim që kemi për Aleksin ta shuajmë”, tha Mark Nika.
Ai tregoi edhe rëndësinë që ky memorial ka për familjen, e cila ndalon aty për të kujtuar Aleks Nikën sa herë vjen në Tiranë.
“Fyerja është goditje e rëndë morale për ne. Aleksi nuk kthehet më, por ne, kur vijmë në Tiranë, ndalojmë dhe kujtojmë Aleksin në vendin ku është vrarë”, u shpreh ai.
I pyetur nëse pllaka duhet të riparohet, Nika tha se është i bindur se ajo do të rivendoset.
