Shoqata e gjyqtarëve rezolutë KLGJ: 1100 dosje për gjyqtar! Kontrollet kryhen nga persona të patrajnuar
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve i është drejtuar me një rezolutë zyrtare Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke ngritur shqetësime serioze dhe urgjente mbi funksionimin e gjykatave, veçanërisht të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, si dhe të gjykatave administrative. Shoqata thekson se që prek 7 vitesh, pas mbarimit të procesit të vetingut, këto gjykata përballen me një mbingarkesë të paprecedentë të çështjeve penale. Sipas dokumentit, një gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës përballon mesatarisht mbi 1100 çështje, ndërsa në Gjykatën e Apelit rreth 50 mijë dosje që datojnë në vitet 2017-2018, presin akoma të shqyrtohen.
Shoqata ngre alarmin se kjo situatë ka cenuar drejtpërdrejt parimin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm, eficiencën e drejtësisë dhe besimin e publikut, duke u përshkallëzuar madje edhe me raste ekstreme që kanë rrezikuar jetën e gjyqtarëve, siç është humbja tragjike e gjyqtarit Astrit Kalaja. “Kjo situatë ka tejkaluar kufijtë e një vështirësie të përkohshme, duke cenuar drejtpërdrejt respektimin e parimit të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm, efikasitetin dhe eficiencën e administrimit të drejtësisë, si dhe perceptimin dhe besimin e publikut ndaj sistemit gjyqësor. Kjo siuatë është shoqëruar madje dhe me raste ekstreme të cenimit të jetës së gjyqtarëve, deri në rastin tragjik të kolegut tonë gjyqtar z. Astrit Kalaja” thuhet në rezolutë.
Një tjetër problematikë serioze e evidentuar në dokument lidhet me sigurinë në gjykata. Sipas Shoqatës, kontrolli i personave kryhet nga punonjës të patrajnuar, mungojnë pajisjet e sigurisë, ndarja funksionale e ambienteve dhe personeli i dedikuar për ruajtjen e rendit gjatë seancave gjyqësore.
Rezoluta kritikon gjithashtu vendimmarrjet e KLGJ-së mbi standardet e vlerësimit të gjyqtarëve, veçanërisht vendimin nr. 433/2025 për afatet dhe standardet minimale sasiore, të cilin Shoqata e cilëson jorealist dhe presionues në kushtet aktuale të mbingarkesës. Sipas saj, këto standarde rrezikojnë cilësinë e gjykimeve dhe pavarësinë e brendshme të gjyqtarëve. Mes kërkesave kryesore drejtuar KLGJ-së janë: plotësimi urgjent i vakancave të gjyqtarëve, shtimi dhe trajnimi i stafit administrativ, përmirësimi i sigurisë në gjykata, rishikimi ose pezullimi i standardeve aktuale të vlerësimit, moszbatimi i afatit 4-mujor për arsyetimin e vendimeve në kushtet e mbingarkesës, si dhe investime në infrastrukturë dhe digitalizim.
Në përfundim, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës, duke theksuar se garantimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe mirëqenia e gjyqtarëve janë parakushte thelbësore për një drejtësi cilësore dhe të besueshme për qytetarët.
KOHA JONË SONDAZH

