Shoqëria civile-autoriteteve: Ndaloni punimet tek diga, në të kundërt i ndalim vetë

Nisma “Qytetarët për parkun” i ka bërë thirrje autoriteteve përkatëse të reagojnë sa më shpejtë dhe në mënyrë të përgjegjshme për të ndaluar punimet që po zhvillohen poshtë digës së liqenit artificial të Tiranës.

Kjo organizatë shprehet se nëse autoritetet nuk reagojnë atëherë qytetarët do të dalin dhe t`i ndalojnë vetë ato punime, jo në kushtet e garipit me shtetin, po në kushtet e zëvendësimit të autoritetit publik.

“Protesta jonë do të vazhdojë të mërkurën me dorëzimin e memorandumit, Kryeministrit të Shqipërise si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit, që ai në statusin e tij suprem, të marrë masat që duhet, dhe të vërë në vend një ndjeshmëri qytetare të lënduar”, thuhet në deklaratë

Deklarata e plotë e nismës “Qytetarët për parkun”:

Kryeqyteti i Shqipërisë ka patur një plan të përgjithshëm për herë të parë në 2013-tën, por edhe atë të përçunduar keq. Ky plan në momentin që flasim mund të cilësohet si i kapitulluar, dhe me siguri do të bëhet pjesë e koleksionit të kartolinave të qytetit. Hapësira publike, ka dalë nga menaxhimi legal institucional, dhe është futur në një rrugë pa krye, ku qytetarit i duhet te dalë në rrugë dhe ta marrë me forcë atë.

Në të vetmen hapësirë të gjelbër që i ka mbetur Tiranës, pas 25 vjet masakrimi nga ndërtimet e papërgjegjeshme, të bëra nën përgjegjësinë e ligjit, sot po ndërtohet duke thyer Ligjin nr. Nr.9780, datë 16.7.2007 “Për inspektimin e ndërtimit”, i ndryshuar, Ligjin nr. Nr. 10119, “Për planifikimin e territorit”, të shfuqizuar (në fuqi në kohën e miratimit të lejes); Ligjit nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, Vendimit të KKT nr. 1 datë datë 22.08.2014 “Për harmonizimin e instrumenteve të planifikimit vendor në funksion të ndarjes së re administrativo – territoriale”, Kodi proçedurës Administrative neni 116 pika c. Si mund të ndërtohet tek zona e Parkut të Liqenit, as 10 metra nga Diga? E gjitha kjo na zgjon reminishencen e Tiranës së 2004-tës.

Për kujtesë Tirana e 2004, pësoi një përmbytje në përmasa katastrofale për zonën e Komunës së Parisit, duke i terur në tel familje të tëra, biznese, shërbime, praktikisht gjithçka. Sot në vend që ta blatojmë atë ditë, që nuk solli viktima, po vetëm dëme material dhe ekologjike, u themi njerëzve atje, përgatitu se një valë e dytë përshëndetëse do t`ju trokasë shumë shpejt.

Nga eksperienca shqiptare, dimë që në rastet më ekstreme, asnjë nga autoritet e larta nuk do të mbajë përgjegjësi, dhe do të kalohet me ca përqafime. Skenari i ardhshëm, projektohet një makth për zonën e Parkut, sepse liqeni, i shndërruar në moçal, do të kthehet në një shesh të ri ndërtimi, dhe ato pemë që sot u quajmë “Parku i Liqenit”, do të kthehen si Pemët dekorative të Vitit të Ri.

NISMA QYTETARËT PËR PARKUN, i bën thirrje autoriteteve të kenë një reagim të shpejtë dhe të përgjegjshëm, dhe të bllokojnë në mënyrë të menjëhershme punimet poshtë digës, përndryshe qytetarët do të dalin dhe t`i ndalojnë vetë ato punime, jo në kushtet e garipit me shtetin, po në kushtet e zëvendësimit të autoritetit publik.

Protesta jonë do të vazhdojë të mërkurën me dorëzimin e memorandumit, Kryeministrit të Shqipërise si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit, që ai në statusin e tij suprem, të marrë masat që duhet, dhe të vërë në vend një ndjeshmëri qytetare të lënduar.

Nëse nuk ka një reagim, javës që vjen qytetarët do të dalin sërish për të manifestuar vendosmorinë e tyre për t`i ndaluar punimet atje, gjithmonë në shërbim të ruajtjes së interesit të përbashkët, duke ndërhyrë sipas mënyrave që kurrë nuk janë parë në këtë qytet. Ne e duam vendin ku jetojmë, sepse ne kërkojmë që në këtë hapësirë ku kanë filluar ndërtimet të shohim një park të ri, një kurorë të re pemësh si zgjatim i Parkut të Liqenit. Ai është parku jonë, nëse atje ndërtohet, çon detyrimisht në tharjen dhe në shkatërrimin e shpejtë të Liqenit Artificial.

Protestat tona do të vazhdojnë deri sa të shohim reagime për ndalimin e këtyre punimeve që nuk i vlejnë askujt, dhe deri sa të na thonë se në këtë zonë nuk do të ketë më asnjë ndërtim, por një park të ri.

SHKARKO APP