Shoqëria civile merr nismën konkrete: Dy propozime si të ndryshohet sistemi zgjedhor

Një grup organizatash të shoqërisë civile i kërkojnë publikisht drejtuesve të partive politike të nisin urgjentisht një proces transparent, gjithëpërfshirës dhe serioz për të mundësuar aplikimin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të një sistemi zgjedhor të ndryshuar, si dhe për reformimin tërësor të ligjit mbi partitë politike, financimin elektoral dhe administrimin e zgjedhjeve.

“Ndryshimi i vazhdueshëm i sistemeve zgjedhore nuk ka çuar në rritjen e standardeve të përfaqësimit, në garantimin e llogaridhënies nga parlamenti dhe as në stabilitet qeverisës. Pothuajse të gjitha sistemet janë vendosur nga vetë aktorët kryesorë politikë, pa konsultim dhe vendimmarrje transparente e publike dhe në interes të strategjive të tyre afatshkurtra elektorale. Mungesa e legjitimitetit të gjerë, e produktit përfaqësues, llogaridhënies, efektivitetit, kontrolli dypartiak i administrimit zgjedhor dhe kontestimet e vazhdueshme kanë pasur dhe kanë pasoja të shumëfishta negative për demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri. Aktualisht, në kuadër rekomandimeve të OSBE/ODHIR për reformës zgjedhore, nga aktorë shoqërorë dhe segmente politike është kërkuar edhe rishikimi i sistemi zgjedhor.

Tryeza e gjerë politike e iniciuar nga OSBE me 25 shtator e konfirmoi dhe e trajtoi gjerësisht këtë problematikë. Ne, në emër të organizatave që përfaqësojmë, duke qenë njëherësh edhe zëra publike që kemi adresuar vazhdimisht rekomandime në parlament lidhur me reformat politike dhe kemi monitoruar prej vitesh proceset demokratike e zgjedhore, – jemi të bindur se është në interes të vendit dhe të procesit të integrimit përfshirja në axhendën prioritare të kërkesës për rishikimin e sistemit zgjedhor” shkruhet në letrën publike të firmosur nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI) Instituti Shqiptar i Shkencës (AIS) Instituti i Studimeve Politike (ISP) Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG)

Propozimi i 4 organizatave

1- Sistemi proporcional me lista të hapura shumëemërore të partive (ku zgjedhjet e votuesve përcaktojnë rendin në listë), me një zonë zgjedhore (kombëtar), me prag elektoral 2.5 përqind për partitë dhe 4 % për koalicionet.

2- Sistemi miks i aplikuar më 1992 në Shqipëri, me 100 zona në mazhoritar dhe formulë kompensuese me 40 mandate në proporcional kombëtar me prag elektoral 2.5 përqind.

Organizatat kërkojnë që procesi i debatit mbi reformën në sistemin zgjedhor dhe legjislacionin plotësues të realizohet kryesisht mbi bazë ekspertize. Vendimmarrja politike të jetë vijim i produktit të ekspertizës dhe jo e kundërta.

Propozimi mbyllet duke shprehur gadishmërinë e tyre për tiu përgjigjur pozitivisht çdo kërkese, tryeze apo debati publik në lidhje me sistemin e ri zgjedhor, ligjin e ri mbi partitë politike apo ligjin për financimin, si dhe do të jenë pjesëmarrës aktive në të gjitha debatet e zhvilluara nga Komisioni parlamentar për reformën zgjedhor apo format e tjera përfaqësimi në kuadër të parlamentit dhe jashtë tij

SHKARKO APP