Shpallet në kërkim dhëndri, tentoi të vrasë ish-vjehrrën dhe nipin e saj. Policia arreston shokun e tij

Policia ka zbardhur ngjarjen e një dite më parë ku dy shtetas nga Kosova kanë tentuar të vrasin një të moshuar dhe nipin e saj të mitur në Vlorë.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Llakatund, ku kosovarët, njëri prej tyre ish-dhëndri, kishin dhunuar fizikisht një 70-vjeçare dhe nipin e saj 14-vjeçar, dhe më pas kishin tentuar t’i vrisnin ata, duke i vënë zjarrin banesës.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Llakatund, Vlorë, dyshohet se për motive të dobëta, 2 shtetas kishin dhunuar fizikisht një 70-vjeçare dhe nipin e saj 14-vjeçar, dhe më pas kishin tentuar t’i vrisnin ata, duke i vënë zjarrin banesës ku këta 2 shtetas gjendeshin pa ndjenja, kanë organizuar punën për lokalizimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të këtij rasti”, njofton Policia.

Policia ka arrestuar njërin prej tyre teksa largohej drejt Kosovës, dhe një tjetër kosovar që e shoqëronte, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij. Nga hetimet paraprake mësohet se e moshuara është ish-vjehrra e personit të shpallur në kërkim, ndërsa i mituri thjeshtri i tij.

SHKARKO APP