Shpërthen greva edhe tek burgu 313: Dhomat janë me çimka. Na kërcënojnë
Prej disa ditësh, në burgjet shqiptare kanë shpërthyer revoltat e të burgosurve. Sot mësohet se në burgun 313 kanë hyrë në grevë urie 150 të burgosur. Të burgosurit kërkojnë lejimin e takimeve me familjarët. Denoncojnë kushte higjienike në qeli. “Dhomat transit janë me çimka”, thonë ata duke shtuar se edhe ushqimi është ”skandaloz”.
Ata thonë se gardianët i kërcënojnë me izolim nëse do të hapin gojën për tu ankuar për kushtet jetesës brenda në burgje. Të burgosurit i bashkohen grevës së urisë që po bëjnë dhe të burgosurit në Burgun e Reçit në Burgun e Peqinit dhe paraburgimin e Shënkollit në Lezhë.
Duke marrë shkak nga situata në institucionet e vuajtjes së dënimit në vend, është shkarkuar nga detyra drejtori i burgut të Peqinit. Bukurosh Malluta është shkarkuar për shkak të keq menaxhimit dhe ky vendim është marrë nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Dhjetëra të dënuar në burgun e Peqinit kanë refuzuar prej disa ditësh ushqimin për shkak të masave të forta të vendosura për shkak të pandemisë, ku nuk iu lejohet as takimi i familjarëve apo futja e ushqimeve nga jashtë.
Të dënuarit pretendojnë se në shumë raste iu janë shkelur edhe të drejtat dhe për këtë arsye kanë nënshkruar një peticion ku mes të tjerash kërkojnë amnisti të përgjithshme, përcaktim me vite të dënimit të përjetshëm me 20 vite, aplikimin e lirimit pas 3/5 të dënimit, si edhe largimin e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Duket se kjo protestë ka sjellë dhe reagimin e parë dhe ai është shkarkimi i drejtuesit të IEVP, Peqin, Bukurosh Malluta.