Shpërthimet në Tiranë, shoqërohen disa të dyshuar

Policia dhe prokuroria nuk kanë ende ndonjë emër personi, të dyshuar në lidhje me vendosjen e tritolit në kryeqytet, ku shënjestër ishte familja e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-Shefi i komisariatit numër 3, Alfred Numani.

Burime nga policia bëjnë me dije se deri tani, janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje 25 persona, kryesisht dëshmitarë të cilët janë ndodhur afër vendit te ngjarjes.

Gjithashtu, mësohet se ekspertet janë duke u munduar për të krijuar një identikit të personit, i cili shfaqet në kamerat e sigurisë, teksa vendos lëndën plasëse në farmacinë e babait të Tahirit.

Burimet bëjnë me dije se gjatë mbrëmjes se djeshme, forcat e antiterrorit kanë shoqëruar disa persona si të dyshuar, por deri tani nuk ka asnjë të ndaluar.

Ndërkohë, kanë nisur verifikimet e kartave të telefonit të gjetura në dy shpërthimet, të cilat mësohet se kanë elemente që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes, shkruan Vizion+.

SHKARKO APP