Shpërthimi i bombulës në Lezhë, reagon policia: Gjashtë persona të lënduar, mes tyre dy fëmijë
Një shpërthim i dyshuar i një bombule gazi ka shkaktuar gjashtë të lënduar mbrëmjen e sotme në një banesë në fshatin Markatomaj të Lezhës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30. Sipas informacionit të policisë, nga shpërthimi kanë marrë dëmtime dy fëmijë, 10 dhe 13 vjeç, pronari i banesës, 40-vjeçari S. K., si dhe tre gra të moshave 64, 70 dhe 58 vjeçe.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në banesë dhe kanë ndihmuar në nxjerrjen dhe transportimin e të dëmtuarve drejt Spitalit Rajonal të Lezhës.
Gjendja më e rëndë paraqitet për pronarin e banesës, 40-vjeçarin S. K., i cili është transportuar më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë trajtim më të specializuar.
Ndërkohë, dy fëmijët dhe tre gratë e dëmtuara po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Lezhës dhe, sipas policisë, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pasojat e shpërthimit kanë alarmuar banorët e zonës, ndërsa në vendngjarje kanë vijuar veprimet e grupit hetimor. Ekspertët po punojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të shpërthimit dhe për të dokumentuar të gjitha rrethanat e ngjarjes.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të incidentit, ndërsa pritet që ekspertiza të përcaktojë nëse bombula e gazit ka qenë shkaku i drejtpërdrejtë i shpërthimit.
KOHA JONË SONDAZH

