
15 familjet që mbetën pa strehë pas shpërthimit në pallatin në Elbasan do të vijojnë të marrin mbështetjen e Bashkisë, përmes akomodimit të përkohshëm dhe bonusit të qirasë. Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, thotë se familjet janë sistemuar përkohësisht në konviktin e Bashkisë, ndërsa në vijim do t’u mundësohet përfitimi i bonusit të qirasë për t’u zhvendosur në banesa të tjera.
“Momentalisht familjeve u është dhënë mundësia që të akomodohen në strukturat e bashkisë, provizorisht. Zgjidhja tjetër provizore deri në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare për ndërtimin e godinës së re, për prishjen e saj ose marrjen e një vendimi përfundimtar, do të jetë bonusi i qirasë”, u shpreh kryebashkiaku në ”Report TV”.
Ai nënvizoi se Bashkia do të mbështesë financiarisht të gjitha 15 familjet, në mënyrë që ato të sigurojnë një banesë tjetër gjatë periudhës së zhvendosjes.
“Në bazë të legjislacionit shqiptar, këto familje do të përfitojnë bonusin e qirasë për t’u spostuar në një banesë tjetër. Bashkia do të mbështesë 15 familjet me bonusin e qirasë gjatë periudhës provizore”, deklaroi Llatja.
