“Shpërthimi në Velipojë mund të ishte shmangur”
Shpërthimi në Velipojë do të ishte shmangur nëse pronari i lokalit do t’i kishte treguar për cisternën 1000 litërshe Inspektoriatit Shtetëror Teknik dhe Industrial.
Inspektorët e këtij të fundit kishin shkuar më herët në subjekt për të bërë verifikimet por gjithçka u është mbajtur e fshehtë.
Drejtori i inspektimit të pajisjeve nën presion në ISHTI, Arjan Goshi, tha për Ora News se pranë tyre nuk është bërë asnjë regjistrim për cisternën.
Goshi: Sipas njoftimit të inspektorëve kur është kontaktuar me pronarin ai është shprehur se unë përdor vetëm bombol GNN dhe në fakt dukej dhe nga pamjet ku ishte në gjendje pune, dhe nuk përdor rezervuar gazi. Nuk e kishte deklaruar.E njëjta gjë ka ndodhur dhe me zjarrëfikësen Shkodër sepse dhe ata bëjnë inspektime. Ishte futur depozita poshtë platformës së verandës dhe afër shkallëve në një pozicion që unë nuk e di sesi e kishte menduar ai për ta futur atje.
Po ashtu Goshi thekson se gjatë sezonit të verës inspektorët ushtrojnë më shumë kontrolle për shkak edhe të temperaturave të larta.
Goshi: ISHTI në programet e veta harton edhe programe të inspektimit në operatorë ekonomikë, sidomos në zonën e fillimit të sezonit turistik, në të gjithë bregdetin. Për këtë vit, këto inspektime kanë filluar në datën 6 qershor 2017.
Nga shpërthimi i gazit në Velipojë mbeten të plagosur katër persona, mes të cilëve pronari i lokalit dhe djali i tij të cilët ndodhen nën trajtim intensiv në Repartin e Djegie-Plastikës në QSUT./ORA

