Një ngjarje e rëndë tronditi këtë të mërkurë qytetin e Elbasanit, ku një shpërthim i fuqishëm në një pallat pesëkatësh në lagjen “Beqir Dardha” është shoqëruar me pasoja tragjike. Një grua e moshuar ka humbur jetën, ndërsa një 69-vjeçar rezulton ende i zhdukur. Dhjetë banorë të tjerë janë transportuar në spital për shkak të asfiksisë nga tymi. Zjarri ka nisur në një apartament në katin e tretë të ndërtesës, në pronësi të personit që aktualisht nuk është gjetur. Flakët janë përhapur me shpejtësi në të gjithë banesën, duke dalë edhe nga ballkoni dhe dritarja e dhomës së gjumit.
Shpërthimi dhe zjarri kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në ndërtesë, ndërsa situata ka shkaktuar panik te banorët, të cilët janë përpjekur të largohen sa më shpejt nga pallati. Mes momenteve të tmerrit, një prej banorëve ka treguar se si arriti të shpëtonte nënën dhe bashkëshorten e tij, duke u futur me shpejtësi në banesë menjëherë pas shpërthimit.
“Dëgjova zhurmën dhe u turra me vrap bashkë me shokun tim. Ika në shtëpi, kapa plakën dhe e nxora jashtë shumë shpejt. Mora edhe nusen dhe e nxora nga dera tjetër”, rrëfen ai. Banori tregon se dëshira për të ndihmuar edhe personat e tjerë u pengua nga tymi i dendur që kishte përfshirë ambientet e brendshme të pallatit. “Doja të shpëtoja edhe të tjerët, por kishte shumë tym të zi dhe nuk hyja dot”, shprehet ai. Ai shton se nëna e tij ndodhet aktualisht në spital, pasi ka pasur probleme me tensionin pas ngjarjes, ndërsa bashkëshortja fatmirësisht nuk ka pësuar dëmtime.
Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, ka bërë të ditur se shpërthimi ka shkaktuar dëmtime serioze në strukturën e pallatit. Sipas tij, një pjesë e ndërtesës është shembur, duke e bërë një prej sektorëve të saj të pabanueshëm. “Është parë një dëmtim i strukturës së pallatit. Kemi pasur një shembje të katit të katërt, që i ka rënë katit të tretë, gjithashtu edhe shkallët lidhëse që lidhin katin e tretë me të katërtin dhe të pestin”, deklaroi Llatja.
Kryebashkiaku konfirmoi gjithashtu bilancin tragjik të ngjarjes, duke bërë me dije se një grua e moshuar ka humbur jetën, ndërsa një 69-vjeçar vijon të rezultojë i zhdukur. “Një e moshuar 83 vjeçe ka humbur jetën në katin e pestë, gjithashtu një 69-vjeçar nuk është gjendur. Dhjetë persona janë paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pa rrezik për jetën”, u shpreh ai.
Sa i përket shkakut të shpërthimit, dyshimet paraprake janë përqendruar te një bombol gazi në apartamentin ku nisi zjarri, por shkaku përfundimtar pritet të përcaktohet nga ekspertiza e autoriteteve. Pallati është një ndërtesë e vjetër, e ndërtuar me tulla silikate, e cila edhe pas ndërhyrjeve të kryera ndër vite vijonte të kishte problematika konstruktive.
