Shpronësimet për Bulevardin e ri, reagon Bashkia: Gati të japim zgjidhje
Bashkia e Tiranës ka reaguar ndaj protestave të ditëve të fundit të banorëve që preken nga shpronësimi për zhvillimin e projektit të Bulevardit të ri, duke shprehur gadishmërinë për të komunikuar me përfaqësuesit e familjeve të prekura nga shpronësimet për alternativën e propozuar prej saj, duke ofruar si zgjidhje për strehimin e familjeve te shpronësuara banesa sociale ose bonus qeraje.
Bashkia e Tiranës, nëpërmjet një njoftimi zyrtar, ka sqaruar se është e gatshme të ndihmojë të gjitha familjet në fjalë dhe të ofrojë zgjidhje brenda hapësirave ligjore, por nga ana tjetër, bën me dije se shpronësimi për interes publik, i pronarëve dhe poseduesve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës”, është bërë me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 752, datë 5.9.2013′.
Po ashtu, referuar këtij vendimi, “Bashkia e Tiranës është përcaktuar që të shpërndajë dëmshpërblimet për pronarët dhe poseduesit e pasurive të paluajtshme, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelat bashkëlidhur VKM-së dhe që janë pjesë përbërëse të këtij vendimi. Roli i Bashkisë së Tiranës në këtë proces është të dëmshpërblejë familjet sipas tabelës shoqëruese të VKM nr. 752, datë 5.9.2013 dhe nuk ka asnjë funksion në përcaktimin e çmimit të shpronësimeve’.
KOHA JONË SONDAZH

