Shqipëri-Kosovë firmosin për sigurinë gjatë verës në kufi
Në kuadër të vazhdimit të avancimit të bashkëpunimit ndërpolicor ndërmjet dy vendeve, si dhe intensifikimit të marrëdhënieve përmes planifikimeve dhe zbatimit të masave të përbashkëta policore, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Shpend MAXHUNI dhe Drejtori i Policisë së Shtetit të Shqipërisë z. Haki ÇAKO, në Prizren, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor në Republikën e Shqipërisë gjatë sezonit veror:
• Të vetëdijshëm për nevojën dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes dy agjencive policore në përpjekje për rritjen e elementëve të Sigurisë Rrugore.
• Të ndërgjegjshëm për faktin se gjatë sezonit turistik Qershor – Shtator 2016, ka një rritje të ndjeshme të numrit të shtetasve nga Kosova që vijnë për pushime në zonat turistike të Shqipërisë, si dhe të mjeteve që qarkullojnë në akset kryesore rrugore që lidhin të dy vendet tona.
• Me synim, intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe për të forcuar bashkëpunimin midis Policive të dy vendeve, nëpërmjet planifikimit dhe zbatimit të masave të përbashkëta.
• Me qëllim, vendosjen e bashkëpunimit konkret në fushën e parandalimit të kundarvajtjeve administrative, për rritjen e efikasitetit të luftës ndaj humbjes së jetëve njerëzore në aksidentet rrugore dhe zbatimin me rigorozitet të legjislacionit rrugor, për krijimin e një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës, që qarkullojnë në akset rrugore që lidhin dy vendet.
• Me dëshirën për të mundësuar arritjen e synimeve të sipërpërmendura nëpërmjet një bashkëpunimi ndër-institucional dhe ndër-policor, krerët e policisë së dy vendeve nënshkruan këtë memorandum bashkëpunimi.
Ky memorandum mbulon periudhën prej datës 1 korrik 2016 deri me 31 gusht 2016. Qëllimi i këtij memorandumi është vendosja e bashkëpunimit konkret në fushën e parandalimit të kundërvajtjeve administrative, për rritjen e efikasitetit të luftës ndaj humbjes së jetëve njerëzore në aksidentet rrugore dhe zbatimin me rigorozitet të legjislacionit rrugor, për krijimin e një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës që qarkullojnë në akset rrugore që lidhin dy vendet.
Me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi të dy Drejtorët, MAXHUNI dhe ÇAKO vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera të dy Policive, jo vetëm në fushën e policimit rrugor, por në të gjitha fushat, në luftën kundër krimit të të gjitha formave, në menaxhimin e integruar të kufijëve , në luftën kundër terrorizmit, etj.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi të dy Drejtorët theksuan domosdoshmërinë që gjatë sezonit veror të krijohen kushte lehtësuese për qytetarët e të dyja vendeve dhe turistët që përdorin pikat kufitare . Gjatë nënshkrimit të memorandumit ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, i cili ka vlerësuar nënshkrimin e këtij memorandumi dhe ka shprehur mbështetjen e tij për për dy Drejtorët e Policisë së Kosovës dhe Shqipërisë në interes së forcimit të sigurisë në rajon.
KOHA JONË SONDAZH

