Shqipëri, më shumë vdekje se lindje
Shqipëria po përballet me një tjetër sinjal të fortë të tkurrjes demografike. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2026 janë regjistruar 10,229 lindje, 108 më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur në vend erdhën në jetë 10,337 fëmijë. Rënia është bërë më e dukshme gjatë tremujorit të dytë, periudhë në të cilën numri i lindjeve ka prekur nivelin më të ulët të dekadës për muajt prill, maj dhe qershor. Sipas të dhënave të INSTAT, në këtë tremujor janë regjistruar 5,083 lindje, 158 më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Tirana vijon të mbajë peshën kryesore të lindjeve në vend. Gjatë tremujorit të dytë, në qarkun e Tiranës u regjistruan 2,310 lindje, ose rreth 45% e totalit. Në skajin tjetër renditet Gjirokastra, me vetëm 66 lindje. Edhe pse prill-qershori ka shënuar një bilanc natyror pozitiv, me 218 lindje më shumë se vdekje, kjo nuk ka mjaftuar për të ndryshuar rezultatin e gjashtëmujorit. Nga janari deri në qershor kanë humbur jetën 10,379 persona, duke bërë që vdekjet të jenë 150 më shumë se lindjet.
Shifrat tregojnë se Shqipëria po përballet me një kombinim faktorësh demografikë që po e përshpejtojnë plakjen e popullsisë. Emigracioni i të rinjve, rënia e numrit të çifteve që zgjedhin të kenë fëmijë dhe rritja e moshës mesatare janë ndër faktorët kryesorë që lidhen me këtë prirje. Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se mosha mesatare e popullsisë shqiptare është rritur në 45 vjeç, nga 44.3 vjeç një vit më parë. Ndërkohë, 35.7% e popullsisë është mbi 65 vjeç, një tregues që sinjalizon përmasat e ndryshimit demografik që po përjeton vendi.
Tkurrja e numrit të lindjeve nuk është vetëm një çështje sociale. Pasojat po shtrihen gjithnjë e më shumë në ekonomi. Largimi i të rinjve jashtë vendit dhe ulja e numrit të personave në moshë pune po krijojnë mungesa në tregun e punës, ndërsa rritja e numrit të të moshuarve shton presionin mbi skemën e pensioneve dhe financat publike. Nëse kjo tendencë vijon edhe në vitet e ardhshme, Shqipëria do të përballet me një popullsi më të vogël, më të moshuar dhe me një forcë pune gjithnjë e më të kufizuar.
KOHA JONË SONDAZH

