Shqipëri-Turqi, memorandum mirëkuptimi për zhvillimin e Pronësisë Industriale
Drejtori i Përgjithshëm i Patentave dhe Markave (DPPM) Ervin Lako, si dhe Presidenti i Institutit Turk të Patentave (TPI), Habip Asan nënshkruan në Tiranë, një memorandum mirëkuptimi.
Nënshkrimi i këtij Memorandumi Mirëkuptimi, është formalizim i diskutimeve paraprake mes drejtuesve të dy zyrave homologe me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të Pronësisë Industriale. Bashkëpunimi në këtë fushë mes dy zyrave homologe, daton që prej 18-20 qershorit të vitit 2009, me nënshkrimin e marrëveshjes së parë, për një periudhë 5-vjeçare në Ankara të Turqisë.
Ky memorandum, theksoi kreu i DPPM-së Lako, nënshkruhet duke konsideruar rёndёsinё e pronёsisё industriale pёr zhvillimin e ekonomisё, promovimin e inovacionit dhe shkëmbimin e teknologjisë, duke njohur nevojёn pёr tё promovuar dhe përmirësuar inovacionin, si dhe për të forcuar sistemet kombëtare të pronësisë industriale me qёllim garantimin e administrimit tё duhur dhe mbrojtjen dhe pёrdorimin e të drejtave të Pronësisë Industriale.