Shqipëria, 717 kërkesa ekstradimi Britanisë së Madhe
Britania e Madhe, mandatet e arrestimit europian “European Arrest Warrant” (EAW) me qëllim ekstradimi i klasifikon në dy kategori.
Në kategorinë e parë (Part 1) përfshihen kërkesat nga vende të BE, ndërsa në kategorinë e dytë (Part 2) ato të vendeve jo anëtare të BE-së, ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Procedura e ekstradimit hap pas hapi është si më poshtë.
1- Shqipëria dërgon atë që njihet si mandat arresti europian “European Arrest Warrant” (EAW) nëpërmjet Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Drejtësisë.
2- Kërkesa i shkon “National Crime Agency”, agjenci e cila nis gjurmimin e personit që kërkohet të ekstradohet.
3- NCA, së bashku me Prokurorinë britanike “Crown Prosecution Service” shqyrtojnë ligjshmërinë e kërkesës.
4- Pasi kërkesa është në përputhje me legjislacionin britanik, ata i kërkojnë gjykatës firmosjen e fletëarrestit.
5- Më pas arrestohet personi, subjekt në kërkesën e fletëarrestit europian.
6- Të nesërmen e arrestimit, personi del përpara një gjykate të specializuar per ekstadimet “City of Westminster Magistrate Court” në Londër, ku Shteti shqiptar përfaqësohet nga një prokuror i CPS.
7- I arrestuari përfaqësohet nga një avokat shteti, ose i zgjedhur nga vetë ai. Këtë moment, ose në një seancë tjetër, i pandehuri mund t’i kërkojë gjykatës lirinë me kusht kundrejt një garancie monetare disa mijëra stërlinash, ose mund të qëndrojë në burg.
8- Në seancat e tjeta shqyrtohet kërkesa e shtetit që kërkon ekstradimin, përfshi argumentet kundërshtuese të mbrojtjes.
9- Gjykatësi i “City of Westminster Magistrate Court” jep vendimin pas një procesi që zgjat mbi 6 muaj.
10- Palët kanë të drejtë apeli në Gjykatën e Lartë dhe atë Supreme.
Sipas statistikave të publikuara nga “National Crime Agency”, që prej vitit 2009 deri në prill 2015 Shqipëria i ka dërguar Britanisë së Madhe 717 mandatarreste për shtetas shqiptarë që fshihen në shtetin ishullor.