Shqipëria dërgon 30 ushtarakë në Rumani, misioni zgjat deri në 2029
Këshilli i Ministrave i Shqipërisë miratoi sot dërgimin e 30 ushtarëve nga Forcat e Armatosura në brigadën shumëkombëshe të NATO-s në Rumani, për mbrojtjen e krahut juglindor të aleancës.
Njoftimi i plotë
Vendim për pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me një togë këmbësorie, në përbërje të strukturave të NATO-s, për mbrojtjen e krahut juglindor të aleancës (RP-SE), në kuadër të aktiviteteve të DDA-së, në Rumani.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dërgimin me mision të një toge këmbësorie, të përbërë nga 30 (tridhjetë) ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në përbërje të strukturave të NATO-s, për mbrojtjen e krahut juglindor të Aleancës (RP-SE), në kuadër të aktiviteteve të DDA-së, në Rumani.
2. Misioni i personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është kryerja e detyrave në përbërje të Brigadës Shumëkombëshe Juglindore (MNB-SE), në zonën e përcaktuar të përgjegjësisë.
3. Venddislokimi i togës së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është në strukturat e Brigadës Shumëkombëshe Juglindore, pjesë e Divizionit Shumëkombësh Juglindor të NATO-s, në rajonet Craiova dhe Caracal, në Rumani.
4. Kohëzgjatja e këtij misioni është deri më 15.9.2029, me sistem rotacioni. Periudha e qëndrimit në mision për çdo togë është deri në 6 (gjashtë) muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me togën pasardhëse.
5. Ministria e Mbrojtjes, për ushtarakët pjesëmarrës në këtë mision, përballon shpenzimet për:
a) dieta për ditët e qëndrimit në mision, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;
b) akomodim;
c) ushqim;
ç) lavanderi;
d) ujë të pijshëm;
dh) energji elektrike;
e) sigurim jete;
ë) siguracion shëndetësor për ditët në udhëtim;
f) siguracion shëndetësor jashtë zonës së misionit;
g) mbështetje shëndetësore;
gj) shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare;
h) transport të kontingjentit në rrugë tokësore;
i) transport të individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disiplinore;
j) aktivitete social-kulturore, në rastet e festave kombëtare, gjatë kryerjes së misionit;
k) çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së misionit.
6. Transporti i kontingjentit që merr pjesë në misionin në Rumani, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, uji, lavanderia, transporti i individëve të shkëputur nga operacioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disiplinore, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, përveç rasteve kur, në bazë të marrëveshjeve dy ose shumëpalëshe, ku palët janë pjesë, palët e tjera marrin përsipër përballimin e këtyre shpenzimeve.
7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
8. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KOHA JONË SONDAZH

