Shqipëria dhe kërcënimi terrorist
Në një nga mjediset e Senatit amerikan u zhvillua sot një forum mbi kërcënimin terrorist dhe rrezikun e sulmeve kibernetike. Në forum morën pjesë anëtarë të parlamenteve të disa vendeve evropiane përfshi Shqipërinë, Kosovën, Austrinë, Bullgarinë, Maqedoninë, Kroacinë dhe Gjermaninë. Ky takim zhvillohet në një kohë kur këtu në Shtetet e Bashkuara po zhvillohet një debat i madh pas urdhrit të presidentit Trump për të ndaluar qytetarë të disa vendeve me shumicë myslimane për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, si masë sigurie për të parandaluar sulme si ato që janë parë në Evropë.
Synimi i forumeve të tilla është pikërisht shkëmbimi i ideve dhe përvojave për të parandaluar sulme terroriste nga Shteti Islamik dhe për të parë rrugët e bashkëpunimit mes vendeve për të ulur rrezikun pas kthimit në vendet e origjinës të luftëtarëve që kanë qënë pjesë e luftimeve të këtij grupi në Irak dhe Siri.
Ky forum mblodhi sot anëtarë të parlamenteve të disa vendeve të Ballkanit dhe Evropës të cilët shkëmbyen shqetësimet e tyre për situatën e sigurisë dhe kërcënimin e sulmeve terroriste sidomos pas krizës së refugjatëve në Evropë që ka lejuar hyrjen pa kontroll të një numri të madh njerëzish nga vendet e Lindjes së Mesme. Takimi është një nismë e Senatorit republikan nga Oklahoma Jim Inhofe dhe ish ministrit shqiptar të mbrojtjes Fatmir Mediu. Në takim foli edhe ish kryeministri i Shqipërisë Pandeli Majko i cili shpjegoi situatën e sigurisë në vend dhe nevojën për një ndërgjegjësim më të madh mbi kërcënimin terrorist.
Takimi ishte me dyer të mbyllura dhe kamera e Zërit të Amerikës u lejua vetëm për pak kohë, në mënyrë që pjesëmarrësit të ishin sa më të hapur në shprehjen e mendimeve të tyre. -VOA

