Shqipëria drejt BE, thirrja nga Jorida Tabaku: Sfida kryesore është shteti i së drejtës
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku thotë se duhet ndryshuar qasja në marrëdhënien ndaj Bashkimit Evropian. Në emisionin ”Real Story”, Tabaku shtoi edhe se legislacioni i Bashkimit Evropian, duhet të përkthehet në zbatim rigoroz të ligjit. Tabaku nënvizoi se sfida kryesore mbetet tek shteti i së drejtës.
”Marrëdhënia jonë me BE, nuk ka nisur sot dhe nuk do të mbarojë sot sigurisht, por unë mendoj se neve duhet të ndryshojmë qasjen. Ne mundet të përshpejtojmë shumë përafrimin e legjislacionit. Por nuk kemi zbatimin e ligjit dhe nuk duhet të lëvizim larg konceptit të bërit, të procesit të integrimit në letër.
Unë mendoj se kjo është sfida më e madhe. Ne diskutojmë sot për kriteret politike sepse janë më të prekshme dhe janë pjesë e debatit politik të përditshëm, por e di kush janë çështjet më të vështira? Janë peshkimi, siguria ushqimore, bujqësia, e gjithë situata me cilësinë e produkteve dhe tregjeve, pra, janë gjërat konkrete.
Unë mendoj që sfida kryesore është tek shteti i së drejtës, tek aftësia që do të kemi neve, që të gjithë këtë legjislacion të Bashkimit Evropian, ta përkthejmë në zbatim rigoroz të ligjit. Nuk ka Bashkimi Evropian dy standarde, më pëlqen vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe e zbatoj, nuk më pëlqen vendimi i Gjykatës Kushtetuese, dhe nuk e zbatoj. I referohem çështjes Xhaçka, ligjit të komisioneve hetimore, rregullores së Parlamentit, ligjit të profesioneve të lira. Mund të numëroj nëntë të tilla”,-tha ajo.